Propozimi i kryeministrit Edi Rama për ndryshime në Kushtetutë nuk ka marrë pëlqimin e kryedemokratit Berisha.
Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët lideri i opozitës u shpreh se me mazhorancën nuk do të bëjnë asnjë kompromis, ndërsa përsëriti akuzat ndaj kreut të qeverisë.
“Me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis. Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para ligjit për të gjitha aktet e tij, vjedhjet e tij monstruoze. Me Edi Ramën çdo lloj reforme është iluzion. Edi Rama nuk pranon asgjë që kërcënon qoftë edhe minimumin e minimumit të pushtetit të tij”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe deklaratën e shefit të ekzekutivit, sipas të cilit nuk do të tolerohet më sjellja e opozitës në parlament. Kryetari i Partisë Demokratike tha se shumica po përpiqet t’i heqë lirinë opozitës.
“U zotua gjithashtu se do bëjë gjithçka për t’i shkurtuar, për t’ia gjymtuar përfundimisht dhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë, pasi nuk bëhet më fjalë për debate dhe ligje, nuk bëhet fjalë për interpelanca, nuk bëhet fjalë për komisione hetimore parlamentare dhe të gjitha të drejtat e tjera që i takojnë sipas Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit opozitës. Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë”, u shpreh Berisha.
Gjatë bisedës online me qytetarët, Sali Berisha foli edhe për lëvizjen e Ervin Salianjit, duke e cilësuar si të vetëpërjashtuar.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, e cila është miratuar me votë nga anëtarësia”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.
/vizionplus.tv





