Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, një ditë pas protestës së mbajtur para kryeministrisë, në një konferencë për mediet deklaroi se protestuesit inauguruan dje misionin e ri të opozitës për shpëtimin e Shqipërisë.
Berisha: Së pari, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh për të gjithë ata qytetarë dhe qytetare, të rinj, të moshuar të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që mbushën dje bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në protestën më të fuqishmte paqësore që mbahet mend ndonjëherë. Që inauguruan dje me praninë e tyre misionin e ri të opozitës shqiptare, shpëtimin e demokracisë, shpëtimin e familjes shqiptare, shpëtimin e Shqipërisë.
Berisha tha se secili pjesëmarrës firmosi dje kontratën me demokracinë, me familjen dhe me Shqipërinë, sipas tij, për t’u dalë zot vendit deri në fitoren e plotë mbi atë që kreu i PD e quan regjim.
Berisha: Duhet t’i falënderoj për përmbajtjen e zemërimit dhe urrejtjes së tyre të pakufishme që kanë ndaj kësaj narkoqeverie. Unë e kuptoj që ai ishte një mundim i veçantë, por kjo është një betejë në vazhdim. Nuk mund të ketë fjalë që mund të shprehë ata që ndjej për ata qytetarë që erdhën, për atë disiplinë që treguan, për atë përkushtim që treguan. Siç kemi deklaruar edhe më parë, kjo betejë është një betejë për liri ose vdekje, për jetë ose vdekje, nën moton, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.
Berisha tha se misioni i opozitës është largimi i qeverisë, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.





