Dëmtimi i dy argjinaturave të lumenjve Dunavec dhe Devoll, si pasojë e reshjeve të shumta të rëna para pak ditësh, ka shkaktuar një situatë të rëndë në fushën e Maliqit. Si rezultat, janë përmbytur mbi 3 mijë hektarë tokë bujqësore, kryesisht në zonën torfike, e cila konsiderohet ndër më problematiket në raste të tilla.
Eridjon Rustemi, drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë Maliq, bëri të ditur se në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit është ndërhyrë menjëherë për përforcimin e dy argjinaturave të dëmtuara rëndë, me qëllim parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Sipas tij, për të dy argjinaturat ekziston një projekt i posaçëm, i cili pritet të zbatohet dhe që do të ofronte një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për shmangien e përmbytjeve në të ardhmen.
Dalja nga shtrati e lumenjve Dunavec dhe Devoll ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore, si edhe në disa banesa, ndërsa autoritetet lokale vijojnë vlerësimin e plotë të dëmeve dhe monitorimin e situatës në terren.





