E shtunë, 31 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 19:40 Në vijim ora 19:40: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

Forcohen argjinaturat e lumenjve, pas përmbytjeve në fushën e Maliqit nis ndërhyrja në Devoll e Dunavec

Dëmtimi i dy argjinaturave të lumenjve Dunavec dhe Devoll, si pasojë e reshjeve të shumta të rëna para pak ditësh, ka shkaktuar një situatë të rëndë në fushën e Maliqit. Si rezultat, janë përmbytur mbi 3 mijë hektarë tokë bujqësore, kryesisht në zonën torfike, e cila konsiderohet ndër më problematiket në raste të tilla.

Eridjon Rustemi, drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë Maliq, bëri të ditur se në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit është ndërhyrë menjëherë për përforcimin e dy argjinaturave të dëmtuara rëndë, me qëllim parandalimin e përkeqësimit të situatës.

Reklamë

Sipas tij, për të dy argjinaturat ekziston një projekt i posaçëm, i cili pritet të zbatohet dhe që do të ofronte një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për shmangien e përmbytjeve në të ardhmen.

Dalja nga shtrati e lumenjve Dunavec dhe Devoll ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore, si edhe në disa banesa, ndërsa autoritetet lokale vijojnë vlerësimin e plotë të dëmeve dhe monitorimin e situatës në terren.

Më shumë video

Reklamë