Partia Demokratike ka thirrur një protestë kombëtare në datën 22 dhjetor, por çfarë do të sjellë kjo protestë? Kjo ishte pyetja që u diskutua në pjesën e dytë të emisionit “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio, gazetari Armir Shkurti tha se kjo protestë nuk do të sjellë asgjë të re, nëse opozita nuk ndryshon mendësi. Me ironi, Shkurti tha se minimalisht deputetët e PD duhet të sjellin në protestë gratë dhe të dashurat.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Në 22 dhjetor opozita ka lajmëruar një protestë kombëtare, çfarë do të sjellë ndryshe?
Shkurti: Mendoj se nuk do të sjellë asgjë. Sepse mënyra sesi erdhëm deri këtu është informale. Domethënë mbaruan zgjedhjet, tha Doktori që u vodhën zgjedhjet, u mor gjithë verës me trenin bullgar, hyri në Parlament, u bënë zgjedhjet e pjesshme që ishin katastrofë. E kur thanë demokratët “nuk jemi dakord”, filluan protestat dhe pastaj i quajti “Foltore”. 22 dhjetori është detyrim-përcaktim.
Borakaj: Çfarë do ta bënte të suksesshme?
Shkurti: Vendosja e emrit, mobilizimi i njerëzve, heqja e kësaj foltoreje që është bërë qesharake, ku dalin njerëzit dhe rrëfejnë problemet e shëndetit mendor. Në protestë, ata deputetët e kanë për detyrë të sjellin gruan ose të dashurën, ose të dyja bashkë. Jo të vijnë ca hallexhinj. Unë e kam thënë, ajo foltore është protestë e demokratëve ndaj PD-së. Por do të doja që 22 dhjetori të ishte ortek.





