Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, Bruna Mersini tha se synon ta kthejë Vlorën në një qytet të kujdesit, respektit dhe mundësive për të gjithë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicioni qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, znj. Mersini u shpreh se politika për të është një mundësi për të sjellë ndryshime reale dhe për t’u rikthyer qytetarëve besimin se institucionet janë në shërbim të tyre.
Mersini vuri theksin te nevoja për një bashki më afër njerëzve, një zhvillim të qëndrueshëm urban, pastrim të qytetit dhe turizëm që zgjat gjatë gjithë vitit.
INTERVISTA E PLOTË:
Vetëm pak javë keni qëndruar si deputete, zonja Mersini, dhe tani jeni përsëri në garë. Ishte kjo një detyrë partie apo dëshira juaj?
Mersini: Kandidimi im lidhet ngushtësisht me faktin se, ashtu si të gjithë qytetarët e këtij qyteti, dua që Vlora të bëhet një qytet i kujdesit, i respektit dhe i mundësive për të gjithë. Një qytet ku të rinjtë zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe se kushdo qytetar ndjen se ka një pjesë të vetën në këtë qytet dhe është pjesë e vendimmarrjes për këtë qytet.
Vlora konsiderohet si një bastion i Partisë Socialiste dhe një garë relativisht jo e vështirë për Partinë Socialiste, duke patur parasysh se ka shumë vite që qeveris në pushtetin vendor aty. Por ka një gjë, numri i votuesve ka ardhur në rënie nga zgjedhja në zgjedhje, kur flasim për zgjedhjet vendore. Në ato të fundit numri i zgjedhësve ra deri në 25% të atyre që kishin të drejtë vote. Përse ndodh kjo sipas jush?
Mersini: Unë mendoj që kjo është një çështje numrash, por në fakt këto numra kanë përkthyer nëntë mandate në qarkun e Vlorës, në zgjedhjet e kaluara. Dhe po kështu besoj fort që të njëjtin ritëm dhe të njëjtën fitore do të kemi dhe në zgjedhjet e 9 nëntorit.
Vakumi që krijoi e ish-kryetarit Ermal Dredhas duhet mbushur shpejt dhe qytetarët në Vlorë presin. Për çfarë ka nevojë më shumë bashkia në Vlorë, meqënëse ju përgatiteni që të merrni postin e kryetares së bashkisë?
Mersini: Politikën unë e shikoj si një mundësi për të bërë ndryshime të vërteta, për t’ua kthyer qytetarëve besimin se institucionet janë për ta dhe jo mbi ta. Dhe mendoj se bashkia duhet të jetë një derë e hapur për të gjithë qytetarët. Një vend ku dëgjohet çdo zë dhe ku çdo problem duhet të marrë zgjidhje. Dhe Vlora është një qytet me një potencial të jashtëzakonshëm, nga bregdeti, te turizmi, te historia, te kultura. Fokusi duhet të jetë tek shërbimi, tek njerëzit, ku shërbimi duhet të jetë më cilësor dhe më afër njerëzve. Duhet të kemi një zhvillim urban dhe patjetër, pastrimi i qytetit si një element shumë i rëndësishëm në jetën e përditshme. Të kemi një turizëm i cili duhet të zgjasë gjatë gjithë vitit, duke mbështetur edhe ekonominë lokale. Dhe, pa diskutim, në fokus duhet të jetë mbështetja për familjen dhe grupet në nevojë.





