Zjarri në Malin e Rrjacës në Prrenjas është vënë nën kontroll, por për shkak të erës, Parku Kombëtar i Shebenik-Jabllanicës rrezikohet të përfshihet nga flakët.

 

Me qëllim që kjo të mos ndodhë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe fqinjët maqedonas, duke qenë se vatra e zjarrit është në kufi me ta.

 

“Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit lokalë kanë vënë nën kontroll zjarrin në Malin e Rrjacës në Prrenjas, por puna vijon pasi era mund ta favorizojë duke rrezikuar Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës në kufi me Maqedoninë e Veriut, ku edhe fqinjët tanë po punojnë në pjesën e tyre. Mbi 100 forca po luftojnë me flakët në 2 vatra të ndryshme në fshatrat Thirrë dhe Katund i Vjetër në Mirditë, ku tymi i dendur ka vështirësuar ndërhyrjen nga ajri dhe era favorizon flakët. Në malin e Tërbunit në Pukë dhe fshatin Dardhë në Fushë-Arrëz era dhe terreni po favorizojnë përhapjen e zjarrit, ndërkohë që në këto 2 vatra po punojnë aktualisht në terren rreth 200 forca. Vatrat e tjera në vend nuk paraqesin rrezik të lartë dhe vijon puna e autoriteteve lokale për shuarjen e tyre”, tha Niko Peleshi në “Facebook”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *