Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 14:00 të 25 gushtit janë raportuar 11 vatra zjarri në vend. Pesë prej tyre mbeten aktive, pesë janë nën monitorim, ndërsa një vatër është shuar.
Vatrat aktive janë në malin e Dajtit në Tiranë, Ballenjë dhe Qafë e Helmës në Dibër e Bulqizë, malin e Dardhës në Librazhd dhe Valikardhë në Bulqizë. Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, të ADZM-së dhe të Forcave të Armatosura, ndërsa operacionet mbështeten edhe nga një helikopter.
Në malin e Dajtit vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, ndërsa në Valikardhë po punohet për izolimin e zjarrit, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta. Në zonat e tjera aktive nuk raportohet rrezik për banesat.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet e menaxhueshme. Zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vijojnë vetëm nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, ndërsa strukturat operacionale mbeten në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/vizionplus.tv





