Subscribe

Njësitë e qeverisjes vendore duket se kanë lëshuar dorën në prokurimet që kanë kryer gjatë këtij viti zgjedhor.

 

Duke ju referuar të dhënave të “Open Data Albania”, rezulton se nga janari deri në 7 maj të këtij viti vlera totale që kanë tenderuar të 61 bashkitë për mallra dhe shërbime arrijnë në 15.8 miliardë, nga 9.5 që rezulton për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

“Deri në 7 maj qe ne kemi bërë kalkulimet tona na rezulton se nuk ka ndryshuar numri i tenderave të kryer, por ka ndryshuar vlera e tyre. Janë 6.2 miliardë lekë më shumë që bashkitë kanë shpenzuar për prokurime gjatë këtij viti. Ndërkohë që numri i tenderave është po njësoj sa një vit me parë, rreth 2600 të tilla”, –thotë Aranita Brahaj.

 

Duke përjashtuar njësitë e mëdha vendore si Tirana dhe Durrësi, edhe bashkitë e vogla kanë rritur ndjeshëm vlerën e tenderave, në një periudhë që i paraprin votimeve të 30 qershorit.

 

Rritje të konsiderueshme ka pasur në bashkitë Korçë, Berat, Shkodër, Elbasan, por edhe Vorë dhe Kamëz. Vërehet rritje e tenderave si për shërbime, por edhe për investime kryesisht në rrjetin e ujësjellësve. 

 

Nisur nga kjo situatë, pak ditë më parë qeveria mori vendimin për të bllokuar tenderat e njësive vendore deri në përfundim të zgjedhjeve lokale.

 

Qëllimi është mirëmenaxhimi i financave publike të njësive vendore, ndonëse një vendim i tillë për juristët nuk ka bazë ligjore, pasi ndërhyhet në autonominë e pushtetit lokal.

 

Rritja e ndjeshme e tenderave dhe investimeve me vlera të larta është një fenomen që ka shoqëruar pothuajse të gjitha vitet zgjedhore në Shqipëri, me synime të qartë përfitimi politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *