Subscribe

Në muajin qershor do të nisë faza e parë e punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës me një korsi në secilën anë plus korsinë e emergjencës.

“Zgjerimi i aksit Tiranë-Durrës është hedhur në procedurë për firmën fituese, që pritet të marrë jetë shumë shpejt. Në fillim të muajit qershor pritet të bëhet i mundur nënshkrimi i kontratës. Me nënshkrimin e kontratës nuk ka asnjë pengesë për të filluar punën menjëherë nga të dy lotet e parashikuar. Momentalsht janë në procedurë dy lotet e para, 6 km, te Mbikalimi i Kasharit përfundojnë këto dy lote. Punimet për to, duke qenë punime zgjerimi, nuk do të përbëjnë pengesë kryesore për trafikun. Janë marrë të gjitha masat duke bërë një plan të detajuar të menaxhimit të trafikut, qoftë nga firma që do të jetë prezente në punim, qoftë nga autoritetet. Punimet kemi parashikuar që të kenë afat kohor 24 mujor, për dy lotet e para që janë parashikuar për këtë vit. Nëse fituesi do të ofrojë diçka më pak se 24 muaj, është i mirëpritur”, thotë Gëzim Noni, përgjegjës në sektorin e menaxhimit të kontratave të brendshme në ARRSH.

Në të njëjtin muaj, Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të fillojë edhe rehabilitimi i 5 km të para të aksit Tiranë-Ndroq-Plepa.

 “Ka një procedurë të hedhur për lidhjen e kontratës për të filluar punimet edhe për këtë aks, parashikon rehabilitimin e 5 kilometrave të para nga Tirana. Ne kemi parashikuar që këto punime të zgjasin 24 muaj, por nëse fituesi ofron diçka më shpejt, pse jo më shpejt. Një gjë e tillë duhet të ishte bërë shumë më shpejt sepse do të ishte një lehtësi shumë e madhe për trafikun dhe nuk do të kalonin të gjitha automjetet në aksin Tiranë-Durrës”, shprehet Noni.

Në përgjigje të nevojës për të shfryrë trafikun gjatë sezonit veror, pas 2 muajsh do të ndërhyhet edhe për të zgjeruar segmentin që lidh Ksamilin me Sarandën.

 “Në rastin më të mirë, fillimi i muajit qershor do të jetë nënshkrimi i kontratës, çka do të thotë fillimi i punimeve. Mendojmë se do të zgjasin punimet diku te 24 muaj. Shtohet një korsi për sens, kështu që është një shfryrje goxha e madhe në momentin që ky projekt do të jetë i përfunduar”,  thotë ai.

Qershori nuk do të jetë vetëm muaji i nisjes së punimeve, por edhe i përfundimeve të tyre.

 “Thumanë-kashar, është një projekt që ecën me ritme shumë të shpejta sepse është në vëmendje që të bëhet e mundur që brenda muajit qershor të fillojë qarkullimi i automjeteve. Do të jetë shumë lehtësi sepse dihet kalvari i gjatë që heqin përdoruesit e rrugës, sidomos në periudhën e sezonit ose gjatë fundjavave, tashmë janë zgjidhur të gjitha pengesat dhe nuk ka më asnjë pengesë, thjesht realizimi i këtyre punimeve brenda muajit qershor”, shprehet Noni.

Për Unazën e Madhe të Tiranës po punohet në të shtatë lotet dhe Autoritet Rrugor Shqiptar premton se kjo vepër, do të jetë e përfunduar deri në fund të 2024.

 “Premtimi është që brenda vitit 2024 të hapet për qarkullimin. Pengesat dhe të papriturat në maksimumin e tyre kanë qenë gjatë kësaj periudhe deri tani, ndërsa tani pengesat, që lidheshin kryesisht me shpronësimet, por tani që po flasim janë ezauruar, zgjidhur dhe është hapur e gjithë gjurma. Mund të them që nuk kemi pengesa”,  vijon ai më tej.

Për projektin e Elbasan-Qafë Thanë, punimet më të avancuar janë në segmentin nga dalja e Labinotit deri në Mirakë. Paralelisht po punohet edhe në 3 lote të tjera dhe parashikimi është që punimet për to të mbyllen deri në fund të vitit 2025, varësisht problemeve që mund të hasen me gjeologjinë dhe shpronësimet. /vizionplus.tvb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *