Ministria e Brendshme zbardhi takimin mes Fatmir Xhafajt dhe ambasadorit Donald Lu.
Në njoftim thuhet se takimi u fokusua në zhvillimet e fundit në vend dhe veçanërisht në përpjekjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë.
Ministri Xhafaj e njohu Ambasadorin me situatën aktuale dhe veprimtarinë e Policisë së Shtetit në këtë luftë.Ambasadori amerikan vlerësoi punën dhe arritjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo e fundit të jetë e motivuar për të vijuar me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar.
Në këtë kontekst, ai shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-ve si dhe vendeve të tjera partnere, për Ministrinë e Brendshme dhe Ministrin Xhafaj, në gjithë përpjekjet e tyre për t’ju dhënë qytetarëve më shumë rend e siguri. Ambasadori Lu inkurajoi Ministrin Xhafaj dhe Policinë e Shtetit, për të vijuar edhe më me intensitet përpjekjet për më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, pasi kjo sipas tij, është ajo çka qytetarët presin sot më shumë se çdo herë tjetër, nga Policia e Shtetit.

Bashkë me ministrin Xhafaj u organizua edhe një vizitë e shkurtër në ambientet e Task Forcës Speciale. Ambasadori Donald Lu inkurajoi efektivët e TFS-së për të vijuar me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar.
“Jam i impresionuar nga veprimtaria juaj dhe nga fakti se nuk po i tundoheni lidhjeve të elementëve kriminalë me politikën. Keni mbështetjen tonë të plotë, të misionit ICITAP dhe Agjencive të tilla si FBI dhe DEA. Shpejt, Ju do të ndiheni krenarë sesi Task Forca Speciale do të ndryshojë të ardhmen e vendit”.





