Ish-ministri i kulturës, rinisë dhe sporteve, gjatë vitit 2007- 2009, Ylli Pango, dëshmoi në procesin “Partizani” me të pandehur kryeministrin e kohës, Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ndonëse ishte e vështirë për të që të rikujtonte me detaje çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv 18 vjet më vonë, ai tha se nuk ka qenë nismëtar në këtë proces, por ka qenë një prioritet i qeverisë në të cilën ai shërbeu për dy vjet.
“Unë jam pro privatizimit, duhet të respektojmë pronarët. Kërkesa vërtetohet me dokumente. Pëlqimi im është juridikisht nul, edhe nëse kam thënë “po”. Nuk mund ta pengoja privatizimin, sepse ky ishte prioritet. Propozova privatizimin, nuk ka kontradiktë. Këtë e kam diskutuar edhe me oficerët e policisë gjyqësore dhe SPAK-un. Kjo nismë nuk është marrë nga unë, sepse nuk më shqetësonte ndonjë çështje e objekteve sportive”, tha Ylli Pango, ish ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Për sipërfaqen e truallit të klubit shumësportësh “Partizani”, Pango tha se nuk i kujtohej, ndërsa pyetjes së mbrojtjes nëse ka komunikuar për privatizimin e trojeve me Berishën apo Malltezin Ylli Pango iu përgjigj:
“Nuk më kujtohet të kem folur ndonjëherë me doktorin, Sali Berisha për Partizanin. Jamarbër Malltezin e njoh, por nuk ka ndërhyrë ndonjëherë për privatizimin e klubit shumësportësh, “Partizani””, shtoi Pango.
Në Gjykatën e Posaçme dëshmoi edhe Tetis Lubonja dhe Altin Ceni që kanë punuar në agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të dy dëshmitarë të organit të akuzës. Seanca e radhës ku pritet të dëshmojë, Paro Laçi, Isa Tare dhe Gazmend Oketa është në 6 korrik.





