Anëtari i Komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj e ka konsideruar reformën në drejtësi si ligjërisht të përmbushur, por sipas tij frytet e saj nuk mund të shihen në një hark kohor prej 4 vitesh.
Në fjalën e tij në kuvend, Xhafaj kërkon që raportet që pasqyrohen në foltore nga hallkat e sistemit të drejtësisë në vend, të cilësohen si ngjarje të rëndësisë së lartë dhe jo si komunikim rutinë.
“Seancat dëgjimore raportuese me institucionet e drejtësisë do duhej të ishin ngjarje të rëndësishme parlamentare edhe sepse Kuvendi ka një rol tejet të rëndësishëm kushtetues e ligjor në konsolidimin e balancës dhe kontrollit ndërmjet 3 pushteteve.
Kjo seancë, me mënyrën e organizimit të saj, ku njëherësh raportojnë të 5 institucionet e drejtësisë, të cilat janë vërtet pjesë e sistemit, por me funksione, problematika dhe objektiva të ndryshme në këndvështrimin tim nuk e mundëson një debat konstruktiv”, thekson ai.
Një përgjigje ka dhe për skeptikët e reformës në drejtësi, të cilëve iu thotë se në fakt kanë frikë nga ajo.
“Natyrisht në këtë proces është shumë të kesh pritshmëri nga opozita e sotme parlamentare. Një pjesë e saj, shumica brenda kësaj pakice, mbasi e bojkotoj procesin e reformës qysh në nisje dhe ju largua përgjegjësive parlamentare në procesin e zbatimit të saj gjatë gjithë këtyre viteve vazhdon ta sulmojë egër atë, ta denigrojë, ta demotivojë. E s’ka si të ndodh ndryshe me lidershpin e saj që i friket drejtësisë dhe përballjes me të”, thotë ai.
Xhafaj theksoi se inicimi i kësaj reforme është meritë e insistimit të mazhorancës.





