Nga Esido Barkaj
Ndryshe nga dita, kur Tirana përballet me trafikun e rënduar dhe lëvizjen e ngadaltë, nata në kryeqytet ndryshon kryekëput rregullat e lojës. Ndërsa pjesa më e madhe e qytetit pushon, për Policinë Rrugore puna sa vjen e ndërlikohet. Shpejtësi tej normave, alkool pas mesnate dhe gara të paligjshme. Kamera e Vizion Plus ka ndjekur nga afër, hap pas hapi, punën e efektivëve të rrugorës në terren në akset më problematike të kryeqytetit.
Ndodhemi në Unazën e Madhe, një nga akset më të rëndësishme, por nga ana tjetër edhe më të rrezikshme gjatë orëve të vona të natës në kryeqytet. Pikërisht asfalti i drejtë i kësaj rruge shpesh herë përdoret si pistë e improvizuar gara me automjete ndaj policia rrugore shpesh herë patrullon në këtë aks rrugor për të ndëshkaur të gjithë shkelësit e Kodit Rrugor. Pak km më shumë në orë në këtë aks rrugor, mund të kthejë një rrugëtim të sigurt në një tragjedi.
Shefi i trafikut urban Jetnor Shira rendit shkeljet kryesore të evidentuara gjatë orëve të vona të natës në akset më problematike që monitorohen nga policia rrugore.
“Për sa i përket aksit rrugor nga mbikalimi i Saukut deri te pallati me shigjeta, ose komplet pjesa e Unazes Veriore, është një aks interurban kryesor ku shpejtësia është e lartë dhe jo rrallë herë përdoret nga drejtuesit e mjeteve qoftë për gara me shpejtësi, qoftë për zhurmat ndotjet akustike dhe kontrolli, pra monitorimi bëhet me pajisje teknologjike të mjeteve inteligjente dhe të radarëve për konstatimin e mjeteve që tejkalojnë normat e shpejtësisë ose të konstatimit të mjeteve që shkaktojnë zhumra me anë të shkarkimit të marmitave”, tha Shefi i trafikut urban Jetnor Shira.
Për këto kontrolle, janë të nevojshme patrullime shtesë për shkak të shkeljeve të shumta që hasen çdo ditë.
“Për sa i përket planizimit, ata monitorohen me patrulla shtesë, plus të shërbimit të radarit osë të mjetit inteligjent, pra patrullohet edhe me shërbime shtesë të cilat janë planizuar për kontrollin e këtyre shkeljeve. Mjetet që konstatohen, krahas masave, ose kontrolleve që u bëhet për marmitat pra për zhurmat, ushtrohet kontroll edhe për xhamat e zi, dokumentacioni, ushtrohet test për përdorimin e alkoolit dhe aty ku ka dyshime të arsyeshme dhe për lëndët droguese”, u shpreh Shira.
Ata që konsiderohen si pilotët e asfaltit dhe përdorin Unazën e Madhe për gara me makina, me manovra teper të rrezikshme për jetën e tyre janë në vëmendjen e policisë rrugore. Makina që kapen nga radarët jo me pak, por edhe më shumë se 200 km/h.
“Jo pak janë rastet e konstatimit të këtyre kategorive dhe me rritjen e penalitetit për mosrregullimin e shpejtësisë për sa i përket manovrave të gabuara, ose ato të rrezikshme duke u bërë burim për aksidente, qoftë për veten e tyre ose për përdoruesit e tjetër të rrugës, pra shfaqjet agresive. Rastet janë jo të pakta dhe të garave me shpejtësi. Ka raste të konstatimit edhe me 190 km/h ose me 210 km/h që janë mjaft të rrezikshme dhe jo pak herë janë përfshirë në ngjarje rrugore”, tha Shefi i trafikut urban Jetnor Shira.
Një tjetër fenomen shqetësues janë edhe zhurmat që shkaktojnë motorat, apo makinat luksoze. Zhurma që krijohen me qëllim nga drejtuesit e mjeteve për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve, zhurma që sjellin shqetësim te qytetarët sidomos gjatë orëve të vona të natës. Këto manovra bëhen vetë nga shoferët e rinj kryesisht duke modifikuar marmitat.
“Rastet e konstatimit, ose shqetësimet më të mëdha janë zhurmat akustike, sidomos ato që shkaktohen nga motorat të cilët janë me kubikë të lartë dhe kontrolli është më i madh sidomos ndaj këtyre mjeteve me kubikë të mëdha, ose mjetet e reja dhe mjetet e luksit. Aty ku kemi dyshime të arsueshme që ka ndërhyrje në sistemin e zhurmë/shkarkimit të marmitave bëhet shoqërimi i tyre në Komisariat ose në Drejtoritë përkatëve më të afërta për të bërë kontrollin teknik. Jo në pak raste janë konstatuar me ndërhyrje e zhurmë/shkarkimit”, deklaroi Jetnor Shira.
Shira tregon se drejtuesit e rinj shpesh herë kapen në shkelje të Kodit Rrugor. Duke ngarë makina luksoze, ata janë një rrezik i lartë në rrugë.
Ndryshimet e fundit ligjore parashikojnë që ata të udhëtojnë brenda disa kornizave me limite të caktuara në Kodin Rrugor, qoftë për shpejtësinë, apo për modelin që do të ngasin në rrugë për vitet e para të marrjes së lejes së drejtimit.
“Kohët e fundit janë hartuar edhe planet e masave për shkak të shqëtësimeve dhe për shkak të aksidenteve të ndodhura, por edhe për shkak të ndryshimeve të Kodit Rrugor të cilat prekin kategorinë e drejtuesve të mjeteve që janë me një eksperiencë më pak se 2 vite në drejtimin e mjetit. Ata kanë dhe kushtëzime sa i përket limitit të shpejtësisë, në rrugët interurbane deri në 90km/h dhe në rrugët urbane deri në 80 km/h. Për drejtuesit e rinj për shkak se është bërë dhe kushtëzime të limitit të shpejtësisë tejkalimi i tyre ose përsëritja është edhe me heqje të pikëve, pra me përsëritje u dyshishohet heqja e pikëve, u dyfishohet edhe masa administrative, por edhe dyfishim i bllokimit të lejes së drejtimit”, nënvizoi ai.
Kamera e Vizion Plus ndoqi nga afër dhe punën e mjeteve inteligjente që pikasin mjetet që ecin me shpejtësi.
Ky është momenti kur radari pulson dhe tregon shkelësin e rrugës. Me një shpejtësi thujse 40 km/h më shumë se norma e lejuar, kjo makinë është burim serioz për aksidente.
Pasi drejtuesi i mjetit vendoset në dijeni për shkeljet që ka kryer duke ia faktuar me foto dhe me pamje reale të mjetit të tij, efektivi i Rrugorës i pret faturën e gjobës, dhe vendos masat plotësuese siç janë ulja e pikëve të patentës. Më pas mjeti lihet i lirë.
Probleme të shumta të qarkullimit rrugor hasen edhe në zemër të Tiranës. Më të shumta janë parkimet e gabuara. Ky automjet është i parkuar në mes të Tiranës në trotuar. Drejtuesja e makinës duket se ka zgjedhur që të bllokojë trotuarin duke penguar lëvizjen e këmbësorëve, sesa të parkojë përballë tek hapësirat që ofron Bashkia e Tiranës kundrejt pagesës.
Përgjigja ndaj këtyre parkimeve mbetet karroatreci.
Ndonëse në Unazën e Madhe problem më kryesor mbetet shpejtësia, në zonat urbane dhe kryesisht në zonën e ish-Bllokut problem më i madh mbetet përdorimi i alkoolit. Drejtuesit e mjeteve të cilët ndalohen nga policia do t’i nënshtrohen një testi për të vertetuar nese kanë konsumuar alkool ose jo.
Alkool dhe drogë. Nuk janë të pakta rastet, sidomos gjatë fundjavave. Makinat luksoze ku në drejtimin e tyre janë kryesisht moshat e reja ndalohen për testet e alkoolit.
“Në pjesën e fundjavës, për shkak se edhe fluksi është më i shtuar ndahemi në tre etapa kontrolli. Një grup kontrolli për parkimet e gabuara, prakimet në trotuar, kalime këmbësorësh. Një grup pune në pjesët periferike për manovrat e gabuara, sjelljet agresive, mosrregullimi i shpejtësisë dhe për shkak të popullimit të tepërt në pjesën e lokaleve të natës për përdorimin e pijeve alkoolike, ushtrojmë kontroll në pjesën e ish-Bllokut dhe në pjesën e Rrugës së Elbasanit që kanë fluks më tepër për kontollin e pijeve alkoolike. Rastet më të shumta jën nën 0.5. Ka edhe raste sporadike që konstatohen në gjëndje të dehur edhe më shume se 0.5 të cilët shoqërohen në komisariate dhe arrestohen sepse përbën vepër penale. Ndërsa rastet që kapen më pak se 0.5 mg për litër procedohet duke vendosur masën administrative dhe penalitete sipas sanksioneve plotësuese”, tha Jetnor Shira.
Jo vetëm alkool por edhe të droguar të kapur në drejtimin e mjetit.
“Në raste kur kemi dyshime të arsyetueshme për përdorimin e lëndëve narkotike bëjmë shoqërimin e tyre në Komisariat ku kryhet edhe testi për lëndët narkotike”, u shpreh Shira.
Këto pamjet tregojnë momentin kur një shofer i ndaluar nga rrugorja është përcjell në Komisarit për tju nënshtruar testit të drogës. Rezultati është pozitiv. I riu nën efektin e lëndëve narkotike drejtonte mjetin duke bërë manovra të rrezikshme.
Trafiku i rënduar në kryeqytet ka bërë që të rriten kontrollet për monitorimin e sigurisë rrugore. Sipas statistikave, sidomos gjatë sezonit veror, blutë vendosin afro 2500 gjoba në 24 orë, kryesisht për shpejtësi, përdorim celulari, parakalime të gabuara, apo manovra të rrezikshme në rrugë.
Megjithatë edhe pse ka një ashpërsim të kodit rrugor, drejtuesit e mjeteve duket se ende nuk janë ndërgjegjësuar që të zbatojnë plotësisht normat e qarkullimit, duke eliminuar rrezikun e përfshirjes në aksidente, ku jo në pak raste janë shënuar viktima.
/vizionplus.tv





