Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar nga Forumi TEHA në Cernobbio se zgjerimi i ardhshëm i Bashkimit Evropian, përfshirë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të jetë një histori suksesi për Evropën.
Costa theksoi se procesi i zgjerimit do të forcojë më tej demokracinë, sundimin e ligjit, prosperitetin dhe rolin gjeopolitik të BE-së.
Antonio Costa: Merrni shembullin e zgjerimit, investimi më i madh gjeopolitik që Evropa ka bërë ndonjëherë. Zgjerimi ka forcuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin e qëndrueshmërinë tonë të përbashkët. Zgjerimi i ardhshëm drejt Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor do ta forcojë më tej Bashkimin Evropian si një aktor gjeopolitik për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Kjo është një histori suksesi evropiane dhe ne duhet ta pranojmë me besim.
Për këtë arsye, nuk pajtohem me krahasimet e thjeshta që sugjerojnë se Evropa thjesht po mbetet prapa. Sigurisht, Evropa duhet të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe shkathtësinë e saj për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më të bashkuar. Por jo sepse jemi në rënie.
/vizionplus.tv





