Influencerja e njohur spanjolle Rocio Osorno ka përjetuar një nga netët më të frikshme të jetës së saj, pasi ka zbuluar dy grabitës brenda shtëpisë së saj, ndërsa ajo dhe familja ndodheshin brenda.
Ngjarja ndodhi teksa Osorno ndodhej në katin e sipërm të banesës duke realizuar materiale për rrjetet sociale. Në një moment, ajo vuri re se një dritare, e cila zakonisht qëndron e mbyllur, ishte e hapur. Menjëherë kuptoi se në shtëpi kishte persona të tjerë dhe nisi të bërtiste për të paralajmëruar familjen.
Policia gjyqësore e Mairena del Aljarafe po heton ngjarjen, ndërsa detaje të tjera mbi grabitjen me dhunë nuk janë bërë të ditura.
Pas ngjarjes, Osorno ndau me ndjekësit e saj përvojën e frikshme në Instagram. “Jam në shok”, u shpreh ajo, ndërsa tregoi se të gjithë anëtarët e familjes ndodheshin në banesë në momentin e grabitjes.
Menjëherë u telefonua numri i emergjencës 112 dhe në vendngjarje mbërritën brenda pak minutash patrulla të Gardës Civile. Megjithatë, grabitësit, me origjinë shqiptare kishin arritur të largoheshin.
Për të treguar momentet e frikshme, Osorno publikoi edhe pamje nga kamera e sigurisë në dhomën e saj të veshjes. Në video shihen dy shqiptarët të maskuar me kapuçë dhe me elektrik dore në kokë, teksa kontrollojnë me shpejtësi sirtarët dhe raftet në kërkim të sendeve me vlerë.
Ata dëgjohen duke biseduar me njëri tjetrin:
–Ej..na këtë merre këtë
-Ku ta çoj
-Hajde të ikim o burr
-Jena keq këtu…
Në pamje duket edhe momenti kur grabitësit kuptojnë se janë zbuluar. Pas lëvizjeve të influencerses në korridor, ata largohen me shpejtësi nga banesa përmes dritares.





