Besimtarët largohen të tmerruar, publikohet momenti i sulmit që vrau shtatë persona në kishën në Jordani (VIDEO)

Momente paniku janë regjistruar brenda një kishe ortodokse greke në fshatin Hamud, në provincën Karak të Jordanisë, ku një sulm i armatosur ka lënë të paktën 7 persona të vrarë dhe 34 të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
VIDEO- Momenti i të shtënave në kishë
Pamjet e publikuara nga brenda kishës tregojnë besimtarët duke u larguar të tmerruar dhe duke kërkuar strehim sapo dëgjohen të shtënat e para. Në video shihet gjithashtu një person që rrëzohet pasi qëllohet nga autorët, të cilët hynë në ambientet e kishës të armatosur.
Sipas autoriteteve jordaneze, dy persona të armatosur, të shoqëruar nga një person i tretë, dolën nga një automjet dhe hapën zjarr gjatë një ceremonie mortore në fshatin Hamud. Drejtoria e Sigurisë Publike konfirmoi se të paktën shtatë persona humbën jetën nga të shtënat në kishë.
Një dëshmitar okular deklaroi për televizionin “Al-Mamlaka” se autorët qëlluan për rreth pesë minuta përpara se të largoheshin nga vendngjarja. Në momentin e sulmit, brenda dhe jashtë kishës ndodheshin rreth 150 deri në 200 persona. Shumica e viktimave ishin të moshës 50 deri në 70 vjeç.
Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Provinca Karak, me një popullsi prej rreth 375 mijë banorësh, ka një komunitet të konsiderueshëm të krishterë. Sulmet e dhunshme të këtij lloji janë të rralla në Jordani, megjithëse në të kaluarën janë regjistruar edhe incidente të përgjakshme.




