Kryetari demokrat Lulzim Basha ka thërritur mesditën e së dielës, një mbledhje urgjente të grupit parlamentar, për të analizuar rrjedhjen e votove të dy deputetëve demokratë, në votimin e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi. PD lë të hapur mundësinë e dy skenarëve, si për manipulim të votimin, ashtu dhe për rrjedhje votash. Në deklaratë dënohet me ashpërsi atë çfarë ndodhi dje me votën e opozitës në Kuvend.
“Erdhi si rezultat i manipulimit apo blerjes së votes, kjo do të shqyrtohet me prioritet absolut. Një gjë është e qartë pa asnjë ekuivok: kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin tonë parlamentar”, thuhet në deklaratë.
Gjatë mbledhjes, kreu i PD-së Basha dhe paraardhësi i tij Berisha, kanë mbajtur qëndrime të ashpra. Por, nëse Basha i ka qëndruar tezës së manipulimit nga socialistët, Berisha ka folur për tradhti.
Sali Berisha: Vendimi i grupit ishte për ta votuar kundër kandidaturën e Gramoz Ruçit. Partia Demokratike dënon rrjedhjen e votës në seancë. Partia Demokratike dënon manipulimin e Partisë Socialiste. PS po përpiqet për blerjen e deputetëve të PD në procesin e votimit.
Lulzim Basha: Kush e bëri na futi thikën mbrapa. Nuk duhet ta falim atë që e bëri. Ata që e bënë duhet ta dinë që ne e dënojmë. Na duhet prova për të qenë serioz. Të kërkojmë prova nga Komisioni, sepse nuk na shërben të mbajmë qëndrim në falsitet. Se nuk jemi vetëm, janë populli që na gjykon. Nuk mund të gjejmë pretekst që t’i hedhim hi syve. Kam dalë kokulur nga seanca, jam ndjerë i fyer dhe kokulur.
Berisha ka mbajtur një qëndrim kritik edhe ndaj Sekretarit të grupit parlamentar Ervin Salianji, cili bashkë me zëdhënësen Grida Duma, nxituan pas seancës parlamentare të shprehen se votimi ishte manipuluar nga socialistët.
Sali Berisha: Asnjë nga ju, pa mbledhje grupi nuk mund të prononcoheni. Grupi është grup. Të pranoj unë se je ti i bindur për gabim, nuk e pranoj. Unë kam bindjen që aty është tradhti. Nuk ngushëlloj mbështetësin me një mashtrim. Kush del në emër të grupit, merr miratimin e grupit, nuk del vetë. Këta nuk kanë të drejtë të bëjnë deklarata në emër të grupit. Më vjen keq Ervin, por këtu s’jam dakord. Kjo që thua ti nuk ka ndodhur në 27 vjet, manipulimi i komisionit. Ndërkohë që kjo që themi ne, shitblerja e deputeteve ka ndodhur. Ky ka hyrë në Parlament rishtas dhe nuk di. Në 27 vjet ka 50 raste shitje. Kurse kjo e jotja nuk ka ndodhur kurrë.
Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura është shënuar nga debate të ashpra, e cila tregoi brishtësinë e grupit parlamentar demokrat në nisjen e kësaj legjislature.





