Pasditja e kësaj të diele ka sjellë një fluks të lartë automjetesh në drejtim të kryeqytetit, teksa shumë qytetarë po rikthehen në Tiranë pas fundjavës së kaluar jashtë qytetit.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Rrugën e Arbrit, një nga akset kryesore që lidh Dibrën me Tiranën. Fluksi i shtuar i automjeteve ka bërë që në disa segmente të krijohen radhë të gjata, me qarkullimin që vijon me vështirësi.
Kolonat e automjeteve janë shtrirë për kilometra të tëra, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët që po udhëtojnë drejt kryeqytetit. Lëvizja është veçanërisht e ngadaltë në segmentet ku përqendrimi i automjeteve është më i madh.
Rëndimi i trafikut vjen në përfundim të fundjavës, kur mijëra qytetarë rikthehen njëkohësisht drejt Tiranës nga zonat turistike dhe qytetet e tjera të vendit. Për shkak të fluksit, udhëtimi po zgjat më shumë se zakonisht.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjes, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, ndërsa pritet që qarkullimi të normalizohet gradualisht pas orëve të pikut.
/vizionplus.tv





