Prej më shumë se 24 orësh, një zjarr i madh ka përfshirë malin e Dukatit, duke shkrumbuar mbi 160 hektarë me bimësi të dendur, shkurre dhe pyje me pisha.
Përpjekjet për shuarjen e flakëve po përballen me vështirësi ekstreme, ndërsa vijon rreziku për përhapjen e zjarrit në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë, një zonë me rëndësi të lartë ekologjike dhe natyrore.
Vija e zjarrit është e gjatë 3 deri në 4 kilometra dhe ka degëzime të shumta që mund të përhapen më tej për shkak të erës dhe terrenit të thyer malor.
Krahu jugor i zjarrit, i cili ndodhet më pranë zonës së mbrojtur të Llogarasë, konsiderohet si më kritik dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.
Terreni i thepisur, mungesa e rrugëve dhe mungesa e burimeve ujore në afërsi kanë detyruar zjarrfikësit të punojnë me mjete dore si lopata, kazma dhe pompa shpine.
Po ashtu prej dy ditësh një vatër e fuqishme zjarri është aktive edhe në parkun Kombëtar të Lurës.
Flakët kanë përfshirë masivin pyjor në afërsi të liqenit të luleve. Për shkak të erës së fortë, vatra është përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme. Terreni malor e bën të vështirë vënien nën kontroll të zjarrit, ndaj është kërkuar ndihma e helikopterit për ndërhyrje nga ajri./vizionplus.tv





