Kryetari i Gjykatës së Lartë në Venezuelë u ka kërkuar ligjvënësve të atij vendi që t’i heqin imunitetin parlamentar udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, përpjekje këto që mund t’i hapin rrugën mundësisë së arrestimit të tij.

 

Gjykatësi Maikel Moreno akuzoi zotin Guaido se kishte shkelur një vendim të Gjykatës së Lartë për të mos u larguar nga vendi, ndërsa ai vizitoi disa vende të Amerikës së Jugut për të konsoliduar mbështetjen rajonale ndërsa kërkon të rrëzojë Presidentin Nicolas Maduro.

 

Duke folur për mbështetësit të hënën, zoti Guaido tha se ai nuk i druhet arrestimit ndërsa vuri në lojë përpjekjet e qeverisë për ta diskredituar atë.

 

“Një grup i vogël njerëzish të dhunshëm duan të ngjallin frikën mes nesh. Pavarësisht kërcënimeve nga Gjykata e Lartë, unë jam këtu me ju. Jemi në një rrugë të qartë për t’i dhënë fund uzurpimit, për një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të lira”.

 

Gjatë fjalimit, mbështetësit e zotit Guaido u sulmuan me gaz lotësjellës por nuk është e qartë se kush ishte autori.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *