Subscribe

Komisioni i Venecias, i ka dhënë përgjigje disa prej pikave ku ndahet mazhoranca dhe opozita mbi ndryshimet kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë. Pika kryesore ku palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, ka të bëjnë me zgjedhjen me 84 ose 93 vota të deputetëve, për anëtarë të institucioneve te drejtësisë. Partia Socialiste, deri para publikimit të Opinionit final të Komisionit të Venecias, ka mbrojtur idenë për zgjedhjen me 3/5 e votave të ligjvënësve të këtyre anëtarëve, ndërkohë që demokratët në opozitë, kanë theksuar se nevojitet një zgjedhje me 2/3 e votave, që shkon drejt konsensusit politik. Këtu bëhet fjalë për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor. Venecia në opinionin e saj thotë se kompozimi pluralist i institucioneve, mund të arrihet me mjete të tjera, jo domosdoshmërish, duke vendosur një prag të lartë votimi. Në këtë opinion thuhet se nje model tjetër i zgjedhjes konsiston në krijimin e dy listave alternative të kandidateve, një nga koalicioni qeverisës dhe një nga opozita. Këshilli i Emërimeve, thuhet në opinion, do të bëjë renditjen e kandidatëve dhe do t’i dërgojë Parlamentit të dy listat, nga të cilat do të përzgjidhen 3 nga lista e mazhorances dhe 2 nga lista e opozitës; në të dyja rastet me 3/5 e votave. Një ditë pas publikimit të opinionit, as një zyrtar nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk kanë dashur ta komentojnë atë. Pikë tjetër ndarëse mes shumicës dhe pakicës parlamentare është edhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Mazhoranca në opinionin e saj mbështet idenë e ndërprerjes së mandatit të kryeprokurorit, ndërkohë që opozita e kundërshton këtë. Venecia saktëson se “Në situatën aktuale politike, mund të merret në konsiderate një nen tranzitor, që të sigurohet për zgjedhjen e këtyre 2 titullarëve me një mazhorancë më të madhe se 3/5, ky rregull do të aplikohet vetëm në zgjedhjen e parë nga mazhoranca aktuale e cila i ka 3/5 e votave”. Ky formulim i jep të drejtës mendimit të opozitës. Palët ndahen edhe mbi varësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila në ndryshimet Kushtetuese përcaktohet si Njësia Hetimore Antikorrupsion. Venecia sugjeron qe te qartësohet roli i kësaj strukture. Opozita mendon se kjo strukturë duhet të jetë në varësie të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që mazhoranca në projektligjin e saj, propozon që drejtuesi i Byrosë të zgjidhet me propozim të Ministrit të Brendshëm dhe më pas të marrë pëlqimin e kryeprokurorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *