Subscribe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës priti në zyrën e tij një grup të rinjsh shqiptarë, të moshës 14-18 vjeç, të cilët u vlerësuan me çmimin e dytë në Olimpiadën e Robotikës në Meksikë.

 

Erion Veliaj i përgëzoi nxënësit për suksesin e arritur dhe shprehu mbështetjen që bashkia do t’u japë të gjithë të rinjve dhe të rejave që duan të çojnë përpara idetë e tyre në fushën e teknologjisë.

 

Jam shumë krenar për çunat e gocat tanë, si grupi që do të vazhdojë të konkurrojë në Olimpiadën Botërore të Robotikës. Do të thotë që vendi nuk ka nevojë të jetë super i zhvilluar, kur ka djem e vajza me talent, me kreativitet, që kanë një mentor, por edhe sponsor që mund t’i ndihmojnë në hapat e tyre të para, mund të zënë vendet e para, të dyta, të treta; pra, mund të jenë liderë në grupmoshën e tyre, kur vjen puna për teknologji, robotikë, mekatronikë apo gjithë ajo industri që ne e quajmë ‘maker-space’, pra të bësh diçka me dijen dhe duart e tua”.

 

Veliaj shtoi se këta të rinj janë arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka vendosur që ta kthejë Piramidën në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në Ballkan.

 

 

“Mezi pres që së bashku të punojmë si partnerë në Piramidën e Tiranës dhe në gjithë hapësirat fantastike që duam të krijojmë për mijëra djem e vajza, ku të kenë mundësi të marrin kurse, të kenë një mentor që mund t’i aftësojë për dijet teknologjike dhe mbi të gjitha, për të pasur edhe vizitorë specialë si roboti Peper, i cili jo vetëm të vizitojë Tiranën, por të kemi mundësi të prodhojmë prototipe të Peperit edhe në Tiranë, në mënyrë që të sigurohemi se qyteti ynë të jetë qyteti më i përparuar në Ballkan për teknologjinë e informacionit”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj, i cili shtoi se Piramida do të shndërrohet në një ‘çerdhe’ e cila do të fuqizojë talentet e fushës.

 

 

Në garën Olimpike 2018 që u zhvillua në Meksikë, Team Albania u rendit mes vendeve fituese, me çmimin e dytë “Katherine Johnson” për dokumentimin inxhinierik. Team Albania pritet të ngrejë për herë të tretë flamurin shqiptar në Dubai, ku do të mbahen garat e këtij viti në datat 24-27 Tetor 2019.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *