Tirana mundi Flamurtarin në sfidën e parë të serisë së finaleve  të kampionatit kombëtar të basketbollit për femra me rezultatin 61 me 57.

Vlonjatet ishin në fakt favorite në shtëpinë e tyre, mirëpo Tirana falë një super Aida Palko në mënyrë të veçantë ia dolën të kalojnë me sukses duelin e parë të finaleve duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt trofeut.

Vajzat bardheblu treguan që në periodën e parë ambiciet e tyre duke e mbyllur 16 me 12, një ecuri të cilën në fakte  vijuan edhe në periodën e dytë ku fituan 18 me 10.

Në total pjesa e parë në pallatin e sportit Flamurtari u mbyll  34 me 22, një avantazh domethënës 12 pikësh i kryeqytetaseve, ku spikatën Marina Bojka, Enisa Qosja, Aida Palko dhe Gonzales.

Mirëpo sedra vlonjate doli në pah në periodën e tretë, ku vendaset përmes dyshes Henderson dhe Tea Memushi fituan 24 me 15 duke, iu afruar ndjeshëm me vetëm 3 pikë në rezultatin e përgjithshëm.

Perioda e fundit ishte një betejë e vërtetë, por me Tiranën që u rikthye të jetë e kujdesshme duke mbrojtur avantazhin e krijuar  e madje duke e thelluar atë edhe me një pikë tjetër falë suksesit minimalist në periodën e fundit.

Basketbollistja e ndeshjes u shpall Aida Palko me 15 pikë dhe 11 topa të kaluar në tabelë. Takimi i radhës do të jetë në kryeqytet. Këtë sezon federata e ka çuar numrin e ndeshjeve finale në 7, dhe ekipi kampion duhet të fitojë minimalisht 4 duele.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *