Dy të dënuar marrin statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë për të zbardhur plotësisht skemën sesi 485 kilogramë kokainë në pleh kimik përfunduan në vendin tonë.
Për këtë çështje që ka përfunduar me 11 të dënuar, prokuroria ka çelur një tjetër fraksion hetimor dhe pritet që të verifikohen deklarimet e dy të penduarve pasi SPAK ka indicie që jenë edhe të tjerë persona të përfshirë në trafik ndëkombëtar droge.
Tre vjet më parë hetimet e drejtuara nga prokurori Adnan Xholi në bashkëpunim me DEA-n amerikane hodhën dritë mbi një sasi rekord kokaine që kishte kaluar kufirin tonë nga Mali i Zi dhe ishte fshehur në shtëpinë e ish- kryekomunarit të Frakullit të Fierit, Viktor Çervanaku dhe familjarëve të tij.
Nga hetimet u zbulua se lënda narkotike është transportuar në 24 paleta me pleh organik artificial, që për vend origjine kishin pasur Kolumbinë, vend tranzit, Shqipërinë, ndërsa destinacion përfundimtar Europën.
Ekstraktimi do të bëhej nga kolumbiani i dënuar Samir Rosales Rodriguez. Akti i ekspertimit zbuloi se nëse ndarja nga plehu kimik do të kryhej, atëherë në treg do të kishte dalë afro 5 kv kokainë e pastër, vlera e së cilës kapte shumën marramendëse prej 40 milionë euro.
Apeli i Posaçëm dënoi me vendim të formës së prerë me 88 vjet e 4 muaj heqje lire Viktor Çervanakun, vëllain e tij, Zenelin, nipin, Denilsonin, të dashurën e tij dhe shtatë të tjerët për “Trafik narkotikësh” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.





