Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Greqi, pas një sulmi të papritur nga një ari, që përfundoi me humbjen e jetës së një alpinisti dhe shpëtimin me vështirësi të shokut të tij.
Sipas raportimeve, njëri nga alpinistët, Dhimitris Kioroglou, arriti të shpëtojë duke vrapuar dhe u ngjit në një pemë. I tronditur, ai njoftoi menjëherë Departamentin e Zjarrfikësve. Në bashkëpunim me ekipet e emergjencës, u organizua një operacion i madh kërkimi dhe shpëtimi që zgjati për orë të tëra, derisa përmes gjurmimit të sinjalit të celularit u lokalizua trupi i alpinistit të humbur.
Dhimitris, i vetmi që i mbijetoi ngjarjes, ka rrëfyer për mediat greke momentet e frikshme të sulmit. Ai tregoi se së bashku me mikun e tij, Christos, po ktheheshin drejt makinave kur ndodhi incidenti.
“Christos ishte pak para meje, pranë buzës së greminës, kur më thirri të shikoja një ari. Pashë një ari të madh ngjyrë kafe vetëm 2-3 metra para meje. Qeni im reagoi dhe ma dha kohën e mjaftueshme për të përdorur sprejin me piper. Ariu u largua, por më pas shkoi drejt Christos, e goditi dhe ai ra në greminë,” rrëfen ai.
Sulmi ndodhi rreth dy orë e gjysmë larg rrugës më të afërt. Ekipet e shpëtimit e gjetën Christosin pa ndjenja, ndërsa ai u transportua me helikopter në aeroportin e Krisoupolis dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës, ku u konstatua vdekja e tij.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në mbarë vendin, jo vetëm nga publiku i tronditur, por edhe nga organizatat mjedisore dhe ambientalistët, të cilët kërkojnë më shumë vëmendje dhe masa në zonat ku jetojnë kafshë të egra.
/vizionplus.tv





