Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është paraqitur sot sërish në Gjykatën e Apelit të Posacëm, për tu njohur me vendimin e gjyqtarit Engert Pëllumbi mbi masën e sigurisë.
Pas një seancë maratonë një ditë më parë, gjykata u tërhoq dhe vendosi ta shtyjë vendimin për këtë të mërkurë për shkak se avokatët kërkuan kohë që të njiheshin me provat e reja që u paraqitën nga SPAK.
Veliaj kërkon shfuqizim e masës së “arrestit me burg” dhe kalimin në një masë më të butë sigurie, pasi avokatët e tij thanë se nuk ekzistojnë kushtet që kryebashkiaku të prishë provat dhe as të tentojë arratisjen nga vendi.
Erion Veliaj dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në 9 raste si dhe pastrim parash, duke shfrytëzuar postin e tij si drejtues i bashkisë për t’i dhënë para nga fondet publike shoqatave të kontrolluara nga gruaja e tij, Ajola Xoxa.
Kjo e fundit, e dyshuar për tri vepra penale, nuk e ka ankimuar masën e detyrimit të paraqitjes, dy herë në muaj.
Nga seanca e djeshme, të vetmit që kanë përfunduar mbrojtjen janë katër biznesmenët e lënë në detyrim paraqitje
Ndërkohë po sot në mëngjes në gjykatën e Apelit të Posaçëm, mbërriti edhe Ajola Xoxa për shpalljen e vendimit për sekuestron e llogarive që shkalla e parë i ka vendosur, por seanca u shty për nesër pasi avokati kërkoi kohë të njihej me aktet hetimore./vizionplus.tv





