Administrata e presidentit Joe Biden njoftoi të premten ndihma të reja ushtarake me vlerë 275 milionë dollarë për Ukrainën, ndërsa Kievi po përballon me vështirësi avancimin e forcave ruse në rajonin Kharkiv.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se paketa e re e ndihmave, për të cilën u fol paraprakisht të enjten nga dy zyrtarë amerikanë, “është pjesë e përpjekjeve tona për ta ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë sulmin e Rusisë pranë Kharkivit”.

“Ndihmat e dhëna më herët kanë mbërritur tashmë në vijën e frontit dhe do t’i transportojmë me shpejtësinë më të madhe të mundshme edhe ndihmat e reja, në mënyrë që ushtria ukrainase të mundet t’i përdorë për të mbrojtur territorin e tyre dhe për të mbrojtur popullin ukrainas”, tha sekretari Blinken nëpërmjet një deklarate.

“Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni ndërkombëtar që kemi ngritur do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Ukrainës në mbrojtje të lirisë së saj”, tha ai.

Paketa e re e ndihmave përmban ndër të tjera sisteme raketash të lëvizshmërisë së lartë HIMARS, si dhe predha të kalibrit 155 mm dhe 105 mm, që janë tepër të nevojshme për goditjet me artileri. Paketa përmban gjithashtu sisteme antitank Javelin dhe AT-4, mina antitank, autoblinda taktike, armë të lehta dhe municione.

Me paketën më të fundit të ndihmave, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë tashmë për Ukrainën ndihma ushtarake me vlerë të përgjithshme rreth 51 miliardë dollarë, që kur Rusia filloi sulmin ushtarak në shkurt 2022.

Në fjalën e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se vizitoi Kharkivin të premten dhe pati një takim atje me zyrtarë ushtarakë, krerët e shërbimeve speciale dhe autoritetet rajonale dhe ato të qytetit.

Presidenti Zelenski vuri në dukje se forcat ukrainase arritën të merrnin nën kontroll zonat kufitare në pjesët veriore të Kharkivit, ku forcat ruse filluan një sulm këtë muaj.

Komentet e tij ndryshojnë nga ato të Viktor Vodolatskit, një anëtar i Dumës së Shtetit të Rusisë (dhoma e ulët e parlamentit). Zoti Vodolatski u citua nga agjencia e lajmeve Tass të ketë thënë se forcat ruse kanë nën kontroll mbi gjysmën e territorit të qytetit Vovchansk, 5 kilometra brenda territorit ukrainas.

Zoti Vodolatski u citua gjithashtu të ketë thënë se pasi të sigurohej qyteti Vovchansk, forcat ruse do të vazhdonin drejt tre qyteteve në rajonin lindor ukrainas Donetsk: në Sloviansk, Kramatorsk dhe Pokrovsk.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur versionet e secilës palë për zhvillimet në fushëbetejë.

Rusia goditi trenat dhe shinat dhe dëmtoi ndërtesat në rajonin verilindor ukrainas Kharkiv, në kuadrin e një kundërofensive të koordinuar të forcave ruse në Ukrainën lindore.

Kompania kombëtare e hekurudhave të Ukrainës, ‘Ukrzaliznytsia’ tha se nuk kishte të lënduar nga sulmet ruse në hekurudhë, por zyrtarët lokalë thanë të premten se po evakuojnë fëmijët nga Kharkivi, që bombardohet nga forcat ruse.

Zyrtarët ukrainas njoftuan të premten evakuimin e detyrueshëm gjatë 60 ditëve të ardhshme të 123 jetimëve dhe fëmijëve që jetojnë pa prindërit e tyre në këtë zonë.

Autoritetet kanë evakuar më shumë se 11 mijë persona nga rajoni Kharkiv që kur Rusia filloi atje ofensivën më 10 maj, tha guvernatori rajonal Oleh Syniehubov.

Ofensiva e Rusisë synon të testojë mbrojtjen e Ukrainës në rajonin Kharkiv dhe më tej në jug në rajonin Donetsk, ndërsa gjithashtu fillon sulmet në rajonet veriore Sumy dhe Chernihiv.

Përparimet e reja të Rusisë janë sprova të mëtejshme ndaj ushtrisë së Ukrainës.

Pas gati dy viteve luftimesh, shkatërrimi i rrjetit të trenave rrit më shumë trysninë ndaj ushtrisë ukrainase, që ka më pak rekrutë dhe armatime.

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se dëshiron të krijojë një “zonë të ndërmjetme” në rajonin Kharkiv për të parandaluar sulmet nga brenda territorit të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas thanë se sulmet ruse vranë të paktën shtatë persona të enjten dhe plagosën të paktën 28 të tjerë në qytetin Kharkiv.

Presidenti Zelenski tha të enjten se sulmi ishte “jashtëzakonisht mizor”. Ai shprehu gjithashtu zemërimin e tij për mungesën e sistemeve të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë të Kievit për të mbrojtur Ukrainën nga sulme të tilla.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba përsëriti mesazhin e presidentit Zelenski, duke thënë se sulmi nënvizon nevojën urgjente të Ukrainës për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot për t’i mbrojtur ukrainasit nga bombardimet ajrore.

“Fatkeqësisht, raketat ruse nuk ndalen nga vetëm fjalë solidariteti”, shkruajti ai në platformën e mediave sociale X.

Guvernatori Syniehubov tha në Telegram se Rusia goditi zonën të paktën 15 herë.

Kharkivi, një qytet me rreth 1 milion banorë dhe qendër e rajonit me të njëjtin emër, ndodhet rreth 19 kilometra nga kufiri rus.

Në rajonin e Belgorodit të Rusisë perëndimore, zyrtarët raportuan dëme të enjten nga sulmet ajrore ukrainase.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shkatërroi 35 raketa ukrainase dhe tre dronë mbi qiejt e Belgorodit.

Guvernatori rajonal i Belgorodit Vyacheslav Gladkov tha në Telegram se sulmet ukrainase dëmtuan një ndërtesë dhe ndezën një zjarr në qytetin Belgorod.

Zoti Gladkov raportoi gjithashtu dëme në shumë shtëpi në dy fshatra në këtë rajon.

Belgorodi ndodhet përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë dhe është shpesh objektiv i sulmeve ukrainase.

Më vonë të enjten, drejtuesi i gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia tha se dy kalimtarë u vranë nga një sulm me raketa ukrainase pranë qendrës kryesore administrative të zonës, Simferopol.

Presidenti ukrainas Zelenski do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Grupit G7 në qershor për të bërë thirrje për më shumë ndihma, njoftuan mediat të enjten. /VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *