Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i kërkoi Avokatit të Popullit të nisë hetimet për mënyrën se si po trajtohen nga administrata e burgjeve ish-Presidenti i Republikës, aleati i tij Ilir Meta dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, një prej politikanëve më të sulmuar nga Sali Berisha, Erion Veliaj.
Në një komunikim me gazetarët, Berisha deklaroi se Metës dhe Veliajt po i shkelen të drejtat në Burgun 313 dhe në Burgun e Durrësit.
“Sot më duhet gjithashtu të denoncoj të dhëna që kam se ka sjellje çnjerëzore edhe ndaj të burgosurit ordiner, Erion Veliaj. Vijnë të dhëna se ndaj këtij të burgosuri janë kryer manipulime dhe akte të rënda, të dënueshme ndaj dhe unë i kërkoj Avokatit të Popullit të nisë një hetim të plotë edhe për qëndrimet ndaj këtij delinkuenti ordiner, por që në një vend anëtar të Këshillit të Europës gëzon ato të drejta që ligjet e vendit u njohin personave të burgosur”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha paralajmëroi debat të ashpër nesër në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke kërkuar praninë e medias.
“Ftoj këshilltarët e opozitës të bëjnë një betejë në sallë të vendosur që kjo mbledhje të zhvillohet në përputhje me ligjin, çka do të thotë në prani të medieve dhe jo si një shpellë mafieje, në të cilën Edi Rama dhe Lubi Balluku sillen si padrino të bashkisë së kryeqytetit”, tha kreu i PD-së.
Pika që pritet të shënohet me më shumë debate nesër në Këshillin Bashkiak është prishja e dy pallateve për shkak të dëmtimeve nga tërmeti tragjik i nëntorit të vitit 2019, për të cilat opozita është kundër./vizionplus.tv





