Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë për t’u shfrytëzuar nga sezoni turistik, Porti i Vlorës pa një rekord pasagjerësh këtë fundjavë.
Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo pikë kanë hyrë në vendin tonë 6.000 pasagjerë, ndërsa për të dalë, e shfrytëzuan 2.500 qytetarë.
Numri më i lartë i lëvizjeve u regjistrua të shtunën, me 2.000 udhëtarë që kanë hyrë në port, nga ku më shumë se gjysma ishin të huaj.
Kjo shifër përbën edhe një rekord, krahasuar me vitet e mëparshme, kur numri më i lartë i udhëtarëve që futeshin në Shqipëri përmes Portit të Vlorës arrinte deri në 1.500.
Ky gusht po rezulton i mbingarkuar edhe për Portin e Durrësit, me 8 mijë pasagjerë të futur vetëm një ditë më parë.
Fluks i shtuar lëvizjesh është vënë re edhe në pikat kufitare të Korçës. Gjatë 24 orëve të fundit në Kapshticë kanë qarkulluar gati 10 mijë qytetarë, ku hyrjet në vend përbëjnë shumicën, plot 6.600 të tilla, në raport me daljet.
Deri më tani nuk raportohet për radhë të gjata apo për pritje nga ana e qytetarëve.
Ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë e dalë rreth 7.500 persona. Turistët nga Maqedonia e Veriut janë më të shumtët në numër që shfrytëzojnë këtë pikë kufitare për të ardhur në Shqipëri.
Por ndërkohë që disa hyjnë në Shqipëri për të pushuar, për disa të tjerë ditët e pushimit kanë mbaruar. Për pasojë, Saranda u zgjua mëngjesin e kësaj të hëne me trafik.
Një numër i madh pushuesish nisën të largohen nga jugu dhe rruga që shërben për të dalë nga Saranda u paralizua prej radhës së automjeteve që shkoi në disa km.