Subscribe

Kryeministri Edi Rama bëri një reagim të gjatë në “Facebook” për krizën në Kakavijë e Kapshticë.

Duke pranuar se situata e krijuar është shumë e vështirë, Rama tha se të gjithë duhet të tregohen të ndërgjegjshëm që në këtë rast është vendim i marrë nga qeveria greke.

Ai ju përgjigj disa komentuesve në rrjetet sociale që kërkonin që ndaj Greqisë të merren masa të ashpra.

“BJERI GREKUT! Kështu më shkruante njëri ndër disa “patriotë” të irrituar, që mësyjnë këto ditë me ajfon në këtë faqe, duke e komentuar situatën në Kakavi si të ishte fronti i ndonjë lufte shqiptaro-greke. “Vdiq një ëngjëll dhe ju hajduta merreni me shtëpira”, shkruante një mësymës tjetër. Natyrisht që askush s’mund të jetë as i lumtur, as i paacaruar nervash duke pritur në karvane sfilitës nën diellin përvëlues, për të kaluar kufirin. Por as koha që jetojmë nuk është aspak normale dhe pavarësisht shumëkujt që e konsideron Covidin një sajesë të oligarkisë botërore, Covidi jo vetëm ekziston, po edhe i ka futur shtetet në lloj-lloj spiralesh shqetësuese, në përpjekjen për ta përballur kanosjen e tij. Kakavija nuk është as ndonjë përjashtim në këtë kohë të mallkuar dhe as ka ndonjë lidhje me ndonjë qasje a sjellje antishqiptare të fqinjëve tanë. Për më tepër pastaj, t’i turresh qeverisë e shtetit shqiptar, pse Greqia ka vendosur një regjim të ri kufitar në të drejtën e vet dhe jo vetëm për të huajt, po edhe për vetë grekët, është realisht e tepërt.”

Kreu i qeverisë tha se në këtë rast nuk mund të bëhet asgjë tjetër veçse të dialogohet me palën tjetër dhe të respektohen masat e vendosura derisa të arrihet një zgjidhje.

Ai kërkoi nga çdo qytetar që e ka në plan të udhëtojë drejt shtetit grek që të informohet më parë.

“Ama në këtë rast, nuk ka asnjë arsye “për t’i rënë grekut” dhe me palën greke kemi qenë e jemi non stop në komunikim, e ata kanë bërë e po bëjnë çfarë munden për ta lehtësuar lëvizjen, ndërkohë që kanë marrë vendimin të testojnë me tampon çdokënd, shqiptar, anglez, amerikan, kinez e madje edhe grek, që hyn në Greqi. Nga nesër madje, Greqia do të ketë kuota hyrjeje në çdo pikë kufitare dhe s’do lejojë askënd, në asnjë pikë, të hyjë përtej kuotës së caktuar. Prandaj kush shkon në Greqi, për më tepër që shumica dërrmuese e atyre që janë apo shkojnë drejt Kakavisë këto ditë, janë rezidentë në vendin fqinj, duhet të informohet si duhet dhe të mos kërkojë nga shteti shqiptar as arsyet pse shteti grek ka zgjedhur këtë strategji për të luftuar Covidin, as që të çajmë kufirin grek me forcë apo të “trashim zërin” ndaj Greqisë për një vendimmarrje sovrane e legjitime të shtetit grek, mbi regjimin antiCovid në kufijtë e vet.”

Edi Rama shprehu rezerva për rregullin e vendosur nga Greqia për tamponë para kalimit.

“Ne, Shqipëria, nuk besojmë se tamponat në kufi për ata që hyjnë në vendin tonë, kanë ndonjë efekt real në luftën kundër Covidit dhe si ne ka plot shtete që nuk besojnë në këtë strategji. Por ama ka edhe plot shtete, që njësoj si Greqia kanë zgjedhur këtë strategji. Tani çfarë duhet të bëjmë ne, sipas “patriotëve” që nga llogorja e fejsbukut gjuajnë grekun e duan të na djegin të gjallë neve, “monstrat”, për situatën në Kakavi?! Ne duhet të bëjmë thjesht dhe vetëm atë që kemi bërë e po bëjmë. Asistencë përmes Forcave të Ushtrisë, Urgjencës Kombëtare, strukturave vendore, me gjithçka mundemi për njerëzit që po sfiliten në atë karvan rraskapitës dhe komunikim në vijimësi me palën greke në të gjitha nivelet – tanimë ata janë angazhuar me tre turne për të lehtësuar kalimin.”

Në fund, kryeministri Edi Rama u kërkoi të gjithëve që të kujtojnë tragjedi të tilla si tërmeti i Nëntorit para se të nisin sharjet e ofendimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *