Subscribe

Dhoma Amerikane e Tregtisë nuk do të reshtë së i kërkuari qeverisë uljen e taksave. Në mbledhjen e fundit të bordit të saj, propozimet për paketën fiskale të vitit 2017-të insistojnë uljen e tatim-fitimit, duke e bërë të barabartë me rajonin. Në një intervistë për Vizion Plus, Mark Craëford, kreu i kësaj dhome, thotë se nuk ka rëndësi se sa bëhet taksa e tatim – fitimit, 13, 10 apo 9%. Për të e rëndësishme është që vendi ynë të jetë konkurrent.

“Të gjithë investitorët që vijnë në Shqipëri, gjëja e parë që pyesin është se sa janë taksat dhe si i ka ato rajoni në mënyrë që të matet kostoja e prodhimit. Nuk ka rëndësi se sa bëhet kjo taksë 9,10 apo 13%, e rëndësishme është që të kemi paketë konkurruese.”

Crawford thotë se edhe nisma e qeverisë për të falur një pjesë të borxheve tatimore duhet të shihet me kujdes. Sipas tij, amnistitë në thelb nuk janë të moralshme pasi penalizohet biznesi i rregullt dhe krijohet përshtypja se edhe nëse nuk paguan taksa, do vijë një kohë që ato do të falen.

“Nuk është në thelb e moralshme sepse penalizohet ai që paguan taksat rregullisht. Këtu krijohet përshtypja se çdo tre vite do të ketë falje prandaj mos paguani, bie ndesh edhe me vetë politikat e qeverisë, të cilat u bënë represive një vit më parë.”

Por çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të thithur investitorë të huaj? Mark Crawford thotë se fillimisht ajo duhet të jetë në hartë, pasi shumica e tyre nuk na njohin!

“Le të marrim modelin e Malit të Zi, ata shkojnë në çdo konferencë dhe panair të mundshëm që të thonë këta jemi ne, kemi këto oferta për investime. Para disa ditësh erdhi një grup nga SHBA në Shqipëri, por ata nuk e njihnin cila ishte, pasi e vizituan tashmë po mendojnë seriozisht të hapin biznes.”

Biznesi mirëpret lajmin e qeverisë për të mos lëvizur nivelin e taksave, por ata këmbëngulin që të bëhet kujdes me tarifat e fshehta, të cilat në vite kanë krijuar kosto të mëdha për ta.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *