Përmes një komunikimi publik av. Altin Kaziaj, përfaqësues ligjor i familjes Osmani në Shqipëri, ka deklaruar se përfshirja e emrit të biznesmenit Bashkim Osmani, në aludime mediatike, për lidhje me dosjen Aruba janë shpifje dhe dëmtojnë reputacionin e tij. Ndaj z. Osmani nuk ka asnjë hetim nga SPAK, apo çdo instancë tjetër, sa është shkruar këto ditë nga media të caktuara.
MBI RAPORTIMET MEDIATIKE LIDHUR ME DOSJEN
“ARUBA”
Në interes te familjes Osmani, sqarojmë se:
Në ditët e fundit, një numër mediash-gazetarësh në mënyrë të pa drejtë kanë lidhur emrin e z. Bashkim Osmani dhe familjarëve të tij me hetime penale, arrestime apo ndalime të bëra publike nga SPAK. Megjithatë, sipas njoftimeve publike zyrtare, emri i z. Bashkim Osmani nuk figuron ndër personat ndaj të cilëve janë kërkuar masa sigurimi, nuk figuron si person nën hetim dhe nuk figuron si person ndaj të cilit është ngritur akuzë në kuadër të procedimit penal të bërë publik.
Raportimet mediatike kanë krijuar konfuzion ndërmjet procedurave të zhvilluara në juridiksione të ndryshme dhe procedimeve të zhvilluara në Shqipëri. Ky konfuzion cenon parimin e prezumimit të pafajësisë dhe krijon perceptime të pasakta në opinionin publik.
Sipas Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Familja Osmani ushtron aktivitet ekonomik të ligjshëm në disa vende evropiane dhe ndërkombëtare. Reputacioni tregtar dhe profesional është element thelbësor për marrëdhëniet me partnerët e biznesit, klientët, institucionet financiare dhe investitorët.
Publikimet e paverifikuara me karakter fyes- shpifes, ose paraqitja e emrit të z. Osmani si person i përfshirë në veprimtari kriminale, pa referim zyrtar nga autoritetet kompetente, shkakton dëm të drejtpërdrejtë reputacional dhe ekonomik. Këto publikime ndikojnë në perceptimin e partnerëve aktualë dhe potencialë, cenojnë imazhin e sipërmarrjeve dhe krijojnë pasoja në marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, dhe passjellin pasoja dëmshpërblyese për cenim të ndërit, reputacionit dhe personalitetit kundrejt personit qe i bënë.
Deklaratat publike te bere nga gazetare ne studio televizive ne Televizione Kombetare ose jo, vijne ne kundershtim dhe me kodin etik te gazetarit sepse nga permbajtja e tyre, qartazi konstatohen shkelje të standardeve të etikës gazetareske, për shkak të mungesës së verifikimit, pabalancimit të informacionit dhe përdorimit të etiketimeve denigruese , shpifëse dhe të pa vrteta.
Vleresojme se raportimi ka sjellë shtrembërim të së vërtetës dhe denigrim të reputacionit dhe figurës publike të paditesit, në kundërshtim me parimet e informimit të drejtë dhe të përgjegjshëm, duke ometuar respektimin e parimeve të saktësisë, verifikimit të informacionit, balancimit të burimeve dhe shmangies së etiketimeve te pa verteta, veçanërisht kur ato lidhen me persona me integritet moral dhe qytetar, te cilet kane treguar gjate gjithe rrugetimit te tyre qe kane qene te afte te krijojne sipermarrje te niveleve te larta dhe te qendrueshme ne Europe dhe me gjere.
Dinjiteti i njeriut, pra paprekshmëria dhe moscënimi i dinjitetit, në çdo rast e në çdo rrethanë, nga cilido dhe kudo është primar, pa cenuar detyrat e organeve ligjzbatuese.
Për të garantuar transparencë të plotë dhe informim të saktë të opinionit publik, z. Bashkim Osmani dhe përfaqësuesit e tij ligjorë do t’i drejtohen zyrtarisht SPAK për informacion mbi çdo status procedural që mund të pretendohet publikisht.
Njëkohësisht deklarohet gatishmëria e plotë për t’u vënë në dispozicion të çdo hetimi të ligjshëm dhe për të bashkëpunuar me çdo autoritet shqiptar apo ndërkombëtar.
Mediat ftohen:
të verifikojnë informacionin përpara publikimit;
të korrigjojnë raportimet e pasakta;
të dallojnë personat e akuzuar nga personat e përmendur në materiale hetimore;
të respektojnë standardet profesionale dhe prezumimin e pafajësisë.
Qëllimi i kësaj kërkese është sqarimi i statusit procedural të kërkuesit dhe garantimi i informimit korrekt të opinionit publik.
Familja Osmani rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ne aspektin civil dhe penal kundër çdo publikimi të pavërtetë, të pasaktë ose të paverifikuar që cenon reputacionin, dinjitetin dhe interesat e saj legjitime.
z. BASHKIM OSMANI
AUTORIZUAR
AV. Altin KAZIAJ





