Një oficer policie në Fier është përjashtuar nga radhët e uniformave blu.
Sipas drejtorit të policisë së shtetit Skënder Hita, efektivi cenoi rëndë figurën e policisë pasi ndërhyri në mënyrë të panevojshme, me njërën nga vajzat që dhunoi 17 vjeçaren në Fier.
“Oficeri i policisë që është i përfshirë në ngjarjen e Fierit, ky nuk është i evidentuar se ka nxjerrë videon ose e ka bërë publike për mediat, por pezullim i tij është urdhëruar për shkeljen e standardeve dhe cënimin e rëndë të figurës që ka bërë punonjësi i policisë në krye të detyrës, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer këtë veprim të kundraligjshëm”, tha Hita.
Ngjarja e rëndë në Fier, ku dy vajza 15 vjeçare dhe njëra 19 vjeç dhunuan 17 vjeçaren në një banesë.
Pas ngjarjes së rëndë, viktima bëri denoncimin në polici së bashku me nënën e saj. Pas denoncimit, agresoret u thirrën në komisariat, ku pranuan ngjarjen dhe më pas u lanë të lira.
Njëra prej vajzave, u arrestua 2 javë më pas dhe u shtrua në spital, pasi u denoncua për dhunë nga nëna e saj.
Ngjarja e rëndë është regjistruar në fillim të muajit qershor, por pas publikimit në media një muaj më pas, rasti mori vëmendje më të madhe.
Nëna e 17 vjeçares së dhunuar rrëfeu pak ditë më parë tmerrin që ka përjetuar vajza e saj dhe ankthi që ajo po kalon aktualisht nga traumat që i janë shkaktuar.





