Protestat për Zvërnecin kanë sjellë sërish reagimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa postoi një video të një protestuesi, i cili kërkoi dorëheqjen e tij, kreu i qeverisë shprehet se pavarësisht revoltës, Shqipëria do të bëhet sipas vizionit që qytetarët i kanë besuar më 11 maj.
“Një përqafim të veçantë për ata të mite, që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes, e ku të vetmet arsye të mbetura janë ato të të huajve që nuk e duan Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të Turizmit dhe pompojnë rrjetet me ajrin toksik të luftës hibride, falë edhe naivitetit të votuesve të mi në atë turmë të orkestruar nga jashtë fatkeqësisht.”
Por reagimi i Ramës vijoi edhe më tej, pasi ai postoi një tjetër video ku disa të rinj shfaqen para selisë së partisë socialiste. Kryeministri i quajti ata “mysafirët e paftuar të natës”.
“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit.”
Kreu i qeverisë apeloi për distancim nga retorika që nxit dhunë.
“Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët.”
Të martën, kryeministri Edi Rama ftoi protestuesit për dialog ndonëse theksoi se projekti i Zvërnecit nuk do të anulohet.





