Nga Sesila Frangu
Prej kësaj të hëne, prindërit mund të aplikojnë për kalimin e fëmijës nga çerdhja në kopsht, një proces që do të zgjasë deri më 29 maj. Prindërit duhet të paraqiten pranë çerdhes që fëmija ka frekuentuar, për të deklaruar kopshtin ku dëshirojnë ta regjistrojnë, sipas njësisë administrative ku banojnë.
“Të gjithë fëmijët që janë në shërbimin e çerdhes që mbushin 3 vjeç deri më 15 shtator, prindërit plotësojnë një formular ku shprehin dëshirën e tyre për një nga kopshtet e njësisë që ata janë banorë. Këtij formulari, për prindërit që kanë ndryshuar vendbanim gjatë kësaj periudhe i bashkëngjitet një certifikatë familjare që fakton njësinë ku janë momentalisht. Në momentin që shqyrtohet mes një aplikimi që është në njësinë e vet dhe një që vjen nga njësitë e tjera fillimisht të drejtën për të marrë shërbim e ka prindi I njësisë”, Zhaneta Beqiri, Drejtoreshë e çerdheve dhe kopshteve.
Për ata prindër që do të regjistrojnë fëmijën e tyre për herë të parë në çerdhe, aplikimet do të nisin nga data 25 maj.
“Për 3 javë rresht deri më 15 qershor të gjithë prindërit që janë të interesuar për të marrë shërbim në çerdhet publike të Tiranës, paraqiten në çerdhen e njësisë ku janë të interesuar nga ora 09:00 deri në orën 14:00, me certifikatën e fëmijës, certifikatë familjare, vërtetimet përkatëse që provojnë se janë të punësuar bëjnë procedurën e aplikimit.”
Aplikimet për këtë vit do të bëhen fizikisht, pasi sipas drejtoreshës, aplikimi online rezultoi i vështirë për prindërit.
“Aplikimi u zhvillua vitin e kaluar në platformë por për shkak të problematikave të hasura që nuk ua bëri të lehtë prindërve, këtë vit do të aplikohet vetëm në një njësi, në mënyrë të tillë që çfarë problemesh ka të përmirësohen në vazhdimësi.”
Janë rreth 45 çerdhe të cilat ofrojnë shërbim në Bashkinë e Tiranës dhe numri i fëmijëve që largohen nga çerdhja në kopsht është 3100.
/vizionplus.tv





