Pasi kryeministri Benyamin Netanyahu shkarkoi ministrin e Mbrojtjes Yoav Galant, kanë nisur protestat në të gjithë vendin. Sipas mediave izraelite, qindra mijëra njerëz dolën në rrugë. Policia hodhi gaz lotsjellës drejt turmës, duke u përpjekur të shpërndante protestuesit.

 

Ministri i shkarkuar, Galant, ishte shprehur kundër reformës në sistemin e drejtësisë dhe ky qëndrim i tij bëri që kryeministri i vendit, të merrte vendimin për ta shkarkuar. Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ka patur edhe një reagim nga presidenti i Izraelit, i cili i bëri thirrje qeverisë që të ndalë reformën në drejtësi.

 

“Për hir të unitetit të popullit të Izraelit, për hir të përgjegjësisë, iu bëj thirrje që të ndaloni menjëherë procesin legjislativ,” shkroi ai në Twitter .

 

Një reagim pas protestave masive erdhi edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby, tha se Uashingtoni është i shqetësuar nga kjo situatë dhe se duhet një zgjidhje e menjëhershme.

 

Pasi protestuan jashtë shtëpisë së kryeministrit të vendit, demonstruesit, duke valëvitur flamuj izraelitë, iu shmangën forcave të policisë dhe mbërritën në godinën e parlamentit. Tubuesit bllokuan një nga autostradat kryesore, për më shumë se dy orë, dhe më pas u shpërndanë nga policia.

 

Kryeministri izraelit ka deklaruar më herët se reformat janë krijuar për të ndaluar gjykatat të tejkalojnë kompetencat e tyre dhe se ato u votuan në zgjedhjet e fundit. Ish- ministri i mbrojtjes, Galant, foli kundër reformës në drejtësi të shtunën, ku tha se anëtarët e Forcave të Mbrojtjes izraelite ishin të zemëruar dhe të zhgënjyer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *