2 milionë pemë pritet të mbillen nga bashkia e Tiranës, për krijimin e pyllit orbital që pritet të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër. Ne kuadër te këtij projekti, këtë të martë u mbollën disa fidanë të rinj në Parkun e Liqenit të Farkës.
“E fillojmë mbarë këtë stinë mbjelljesh me 200 pemët e para, për të vijuar deri në mars të vitit tjetër. Është pjesë e konceptit tonë për Pyllin Orbital dhe duam që pas Parkut të Liqenit, që tashmë vizitohet rregullisht nga 300 mijë qytetarë, edhe në zonën e Farkës, që shtrihet në Njësinë 2 dhe në Dajt, të shtojmë aktivitetet argëtuese, të kemi më shumë animime, sporte dhe organizime në natyrë. Në një qytet si Tirana, që ka 200 mijë makina të vetat, nga 50-60 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë, na duhet të mbjellim 500 mijë pemë për të zeruar të gjithë efektin dhe ndotjen që shkaktojnë ato”.
Kryebashkiaku Erjon Veliaj u bëri thirrje kompanive e qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme.
“Të gjithë vullnetarët që janë këtu sot kanë bërë diçka jashtëzakonisht të dobishme dhe kanë vendosur që të mos bëhen pjesë e kategorisë së njerëzve që ankohet, por e atyre që thonë: Unë do të bëj diçka, po ndryshoj këtë realitet sepse mbjellja e pemëve s’mund të jetë monopol as i bashkisë dhe as i një kompanie të caktuar. Unë besoj se siç ka një minorancë të zhurmshme për çdo projekt dhe për çdo ndryshim, ka edhe një shumicë të heshtur që ndoshta nuk bërtet aq shumë, por me punë si mbjelljet e sotme me vullnetarët, tregojnë që raca e mirë, e shëndoshë, me arsye dhe qytetaria në Shqipëri mbetet shumica.”
Në njësinë administrative Farkë, janë mbjellë 3000 fidanë të drurëve dekorativë, si dhe 2000 rrënjë fidanë ulliri.





