Zusi: Politika e ka mendjen te SPAK-u, jo tek ekonomia
Teksa politika ka ndezur motorët për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, sipërmarrja ka ndarë disa nga shqetësimet që cenojnë aktivitetin ekonomik. 11 shoqata biznesi u bënë bashkë dhe i adresuan partive politike një sërë kërkesash, për t’i patur në konsideratë në programet e tyre elektorale.

Boshti i kërkesave lidhet me barrën fiskale, ku kërkohen rikthimi i taksës së sheshtë 10 % si dhe rishikim i tatimit mbi vlerën e shtuar në disa sektor.

Alban Zusi, përfaqësues i shoqatës së eksportuesve i ftuar në emisionin E-ZONE tha se shqetësimet e biznesit janë një ftesë për dialog.
“Më shumë sesa shqetësim, ne u bëmë bashkë për të ftuar partitë politike në një dialog, për të krijuar një platformë ekonomike. Një ambient ekonomik më i mirë, i vlen shoqërisë për të rritur mirëqenien. Ne vërtet kemi kërkuar rishikimin e një sërë taksash me tendencë uljeje, por në thelb nuk na vrasin taksat, na vret informaliteti. Ndaj një ulje e barrës së taksave do të ndikonte pozitivisht në formalizimin e ekonomisë. Ky është qëllimi ynë”, tha Zusi në E-ZONE.
Por cilat janë pritshmëritë e sipërmarrësve? Çfarë pret biznesi nga partitë politike në këtë prag çeljeje fushate zgjedhore?
“Deri më tani na ka kontaktuar vetëm një forcë politike për të ndarë me sipërmarrjen piketat e programit. Por nuk shohim një angazhim serioz nga politika në këtë drejtim. Mesa duket e kanë mendjen te SPAK-u, pasi mendojnë se do sigurojnë më shumë vota. Por unë mendoj se votat më të mëdha vijnë nga qytetarët, pasi i ke prezantuar një program se si mund të rritet mirëqenia e tyre”, sqaroi Zusi në Vizion Plus.
Deri më tani partitë kryesore politike janë në kuadër të premtimeve, por pa patur një program të qartë elektoral, program i cili të parashikojë dhe kostot e realizimit të tyre./vizionplus.tv




