Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Eduart Merkaj, ka bërë një bilanc 9 mujor në lidhje me kanë masat e shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar dhe për menaxhimin e qarkullimit ndërkufitar të shtetasve dhe mallrave.

 

Sipas tij gjatë periudhës janar-shtator janë evidentuar dhe goditur 1 427 raste të paligjshmërisë, janë kapur 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

 

Gjithahstu ai ka bërë me dije se si rezultat i masave të shtuara në kufirin jeshil, janë proceduar penalisht 819 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe janë kapur nga patrullat e Policisë Kufitare në afërsi të kufirit jeshil, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 8 795 shtetas, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative gjobë.

 

Gjithashtu, janë evidentuar dhe goditur 29 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

 

Në kuadër të masave të shtuara ndër të tjera gjatë 9 mujorit të parë të vitit janë kapur dhe përpunuar 7 288 imigrantë të parregullt, 37% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ose 5.7% më shumë se sa gjithë viti 2018, kjo falë edhe mbështetjes së Operacionit të Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, si dhe në kuadër të operacionit FRONTEX.

 

Policia e Shtetit ka zhvilluar fushata të gjëra ndërgjegjësimi për parandalimin e abuzimit me të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen, si dhe po zbaton një sërë masash shtesë për parandalimin e azilkërkimit.

 

Si rezultat i këtyre masave, gjatë periudhës janar – shtator, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10 684 shtetasve shqiptarë ose 30% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndër të cilët 735 shtetas të mitur që nuk kanë plotësuar kriteret për të udhëtuar jashtë vendit.

 

Ndërsa për periudhën 1 qershor – 31 gusht janë përpunuar në hyrje-dalje në total 9 788  901 shtetas shqiptarë e të huaj si dhe 2 555 940 mjete.

 

Gjithashtu Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e udhëtimit dhe të qëndrimit në zonën Schengen. Mundësitë për të përfituar azil në këto vende janë zero, prandaj abuzimi me të drejtën e lëvizjes së lirë, shkelja e afateve të qëndrimit dhe refuzimi i aplikimit për azil rrezikon t’ju penalizojë duke ju ndaluar hyrjen në këtë zonë për vite të tëra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *