Policia e Shkodrës ka dhënë detaje për plagosjen e 52-vjeçarit Ardian Narkaj nga forcat RENEA gjatë operacionit për arrestimin e tij.

 

Narkaj, i cili ishte prej 10 vitesh në kërkim për vrasje të dyfishtë, fshihej në një stan bagëtish. Forcat RENEA i bënë thirrje për t’u dorëzuar, por 52-vjeçari nuk iu bind urdhrit, teksa tentoi të largohej, duke përfituar nga terreni i vështirë malor. Për ta neutralizuar, forcat RENEA e plagosën Narkajn me armë zjarri.  Në vendngjarje është gjetur një pushkë me fishekë.

 

“Në një zonë malore të Kastratit, në vendin e quajtur “Gropat e Vrinit” Bratosh, Malësi e Madhe, forcat speciale RENEA kanë rrethuar vendin (stan bagëtish) ku fshihej shtetasi në kërkim Ardian Narkaj dhe i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar. Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të policisë, por ka tentuar të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. Forcat speciale RENEA kanë marrë masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi kanë konstatuar se ky person ishte i armatosur. Ata i kanë bërë disa herë thirrje për tu dorëzuar. Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet. Forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë. 52 vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga Renea dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar”, sqarohet në njoftim.

 

Narkaj ishte në kërkim, pasi është dënuar me 21 vite burgim për vrasje të dyfishtë dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2008, ai ka vrarë me armë zjarri në Bratosh të Malësisë së Madhe shtetasit T. U. dhe Gj. Sh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *