Partia Demokratike ka denoncuar se maskat mbrojtëse që përdorin mjekët dhe infermierët kundër koronavirusit janë të skaduara.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe ish-deputetët Albana Vokshi e Bardh Spahia inspektuan masat e marra në qendrën shëndetësore në Kamëz. Bardhi tha për mediat se këto maska duhet të ishin asgjësuar.
“Kemi qenë në disa qendra shendetësore. Qeveria kishte deklaruar se kishte shpërndarë maska për përsonelin mjekësor, por që nga përdorimi i këtyre maskave mjekët dhe infermerët kanë patur irritim në fytyrë. Sot jemi njohur me një fakt kriminal nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Dhe i shikojmë që data e skadencës për maskat është 20 dhjetor 2011. Këto janë mbetje mjekësore që do të duhet të ishin asgjësuar dhe aspak mjete mbrojtëse. Ministria e Shëndetësisë është përfshirë në një skenar kriminal duke u dhënë mjekëve mbetje spitalore që do të duhet të ishin asgjësuar. Duhen fonde financiare për të kompletuar mjekët.”
Numri dy i selisë blu kërkoi nga prokuroria që të nisë sa më parë hetimet për këtë rast sepse po rrezikohen mjekët dhe infermierët.
“Qeveria të lërë propagandën dhe të marrë të gjithë masat për të mbrojtur mjekët dhe kështu duke mbrojtur të gjithë qytetarët shqiptarë. Prokurori i Përgjithshëm të urdhërojë të sekuestrojë në cilësinë e provës të gjithë kutitë e skaduara të mbetjeve spitalore që mjekëve u janë venë në dispozicion si maska mbrojtëse.”