Partia Demokratike ka artikuluar sërish akuza në lidhje me procesin e votimit të diasporës në Greqi. Drejtuesja politike Jozefina Topalli ka deklaruar se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellë zarfa me fletën e votimit dorazi, edhe pse ligjërisht fleta e votimit duhet të dorëzohet nga kompania postare DHL.
“Nëse do të vazhdojmë të dorëzojmë zarfin në dorë, kjo nuk është votë, por kjo është anulim i zbatimit të Kodit Zgjedhor dhe është krim elektoral.”, tha Topalli
Partia Demokratike përsëriti kërkesën që vota e shqiptarëve në Greqi të trajtohet më vete, për shkak të parregullsive që, sipas saj, kanë ndodhur në vendin fqinj.
“Nëse kutitë vijnë të mbushura, ndërkohë që shqiptarët që jetojnë në Greqi nuk kanë votuar, se zarfi nuk i ka ardhur në shtëpi, se zarfin nuk e kanë gjetur tek lokali i lojërave të fatit, apo sepse atë e ka marrë dikush tjetër dhe e ka plotësuar, sigurisht që kjo e ka emrin manipulim dhe jo zgjedhje. Ndaj KQZ duhet të bëjë trajtimin tërësisht të veçantë të kutive që vijnë nga Greqia dhe të ndalin dorëzimin e zarfeve dorazi.”
Prej ditësh, Partia Demokratike ka denoncuar parregullsi në procesin e votimit të shqiptarëve në Greqi.
/vizionplus.tv