Personat me aftësi të kufizuara vijojnë të përballen me vështirësi në marrjen e shërbimeve e kryesisht atyre shëndetësorë sidomos në rrethe, ku aksesi është edhe më i kufizuar.
Mungesa e infrastrukturë së përshtatur, vështirësitë në komunikim dhe informacioni i pamjaftueshëm janë disa nga problemet që shpesh i pengojnë të marrin shërbimin.
Drejtoresha e përgjithshme e politikave të mirëqenies sociale, Jona Dervishaliaj thotë se institucionet kanë ndërmarrë disa hapa për ta bërë sistemin më gjithëpërfshirës.
“Në fakt janë marrë një sërë hapash për të përmirësuar aksesin e personave me aftësi të kufizuara si në shërbimet shëndetësore dhe në shërbimet sociale me synim që sistemi të jetë më gjithëpërfshirës dhe më i orientuar drejt nevojave reale të kësaj kategorie. Një zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim është zgjerimi i shërbimeve multdisiplinare në nivel komuniteti”, tha Jona Dervishaliaj.
Përfaqësues të kësaj kategorie theksojnë se nevojitet më shumë mbështetje dhe përshtatje e shërbimeve për t’i bërë ato realisht të aksesueshme.
Sipas Dervishaliaj përmirësimet nuk lidhen vetëm me infrastrukturën fizike, si rampat apo ashensorët, por edhe me mënyrën e ofrimit të shërbimit duke përfshirë komunikimin dhe aksesin në informacion.
“Nga viti 2022 ministria e shëndetësisë ka një marrëveshje me një shoqatë ndërkombëtare të personave që nuk dëgjojnë të cilët ofrojnë dhe shërbimin e interpretit në këto institucione. Janë ndërmarrë edhe disa iniciativa për përmirësimin e aksesit të personave që nuk shikojnë përfshirë këtu dhe përgatitjen e disa materialeve në gjuhë të aksesueshme në bashkëpunim me organizatat”, shtoi ajo.
Aktualisht janë rreth 103 qendra socio-shëndetësore që kanë përmirësuar aksesin për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa 325 qendra shendetësore ofrojnë edhe shërbimin në banesë për qytetarët që nuk kanë mundësi të paraqiten në strukturat spitalore./vizionplus.tv





