Përdorimi i pajisjeve digjitale pa kriter është kthyer tashmë në një fenomen që po bëhet çdo ditë e më i pranishëm në jetën tonë. Më shqetësues mbetet përdorimi i tyre për orë të zgjatura, sidomos para gjumit.
“Është e vërtet që është krijuar një varësi, nuk është më një zakon për aq kohë sa të rriturëve por jo vetëm ju mungon telefoni. Në momentin që nuk e kanë më në dorë por ju mungon dicka, ajo është kthyer në varësi. Mesa duket është kthyer në një problematikë për të gjithë anëtartë e shoqërisë, një problematikë e cila kërkon vëmendjen e duhur për të marrë masa nga vetë individi në radhë të parë për të menaxhuar kohën që kalon në këto platforma digjitale”, tha Eva Sinanaj, sociologe.
Por cilat janë pasojat e përdorimit të pajisjeve digjitale para gjumit sipas ekspertëve të shëndetit. ?
“Unë do të ndalesha në dy efekte kryesore që ka përdorimi i pajisjeve digjitale kryesisht përpara gjumit. E para efekti në tru dhe e dyta efekti në sy. Pajisja digjitale ka një dritë blu e cila ndikon tek truri duke frenuar prodhimin e melatoninës. Melatonina është hormoni që i jep sinjal trurit që është koha për gjumë, pra është hormoni i gjumit. Pajsijet digjitale këtë hormone e frenojnë dhe bëjnë që fëmija të rri zgjuar deri vonë çka do të thotë shtyhet orari i gjumit. Në momentin që rrimë përpara pajisjeve digjitale, numri i pulitjes së syve reduktohet me gjysmën, pra ne pulisim sytë përpara pajisjeve digjitale me gjysmën e herëve se sa normalisht. Kjo do të thotë që filmi i lotit thahet, çka do të thotë që syri irritohet, thahet, fillon loton, mund të skuqet, pra kemi probleme të tjera të pjesë së sipërfaqes okulare”, u shpreh Brisilda Danaj, mjeke okuliste.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i pajisjeve digjitale në orët e vona të mbrëmjes mund të ndikojë edhe në cilësinë e gjumit, duke shkaktuar lodhje dhe vështirësi në përqendrim gjatë ditës. Për këtë arsye, rekomandohet që përdorimi i pajisjeve elektronike të minimizohet të paktën dy orë para gjumit, në mënyrë që organizmi të ketë një pushim sa më të shëndetshëm.
“Prindi duhet të krijojë lojra me fëmijën, lojra verbale, komunikimi, sepse fëmija ka nevojë të zhvillohet, të ndërveprojë, në këtë mënyrë mëson dhe rritet. Nuk do të vihen re për momentin por do të ketë problematika në rritjen dhe mirëqenien e tij të shëndetëshme dhe në mënyrën se si do të socializohet dhe krijojë marrëdhënie shoqërore nesër. Mund të dëgjojnë muzikë, të lexojmë dicka apo dhe thjesht të qetësohemi”, shtoi Eva Sinanaj, sociologe.
“Unë si mjeke do të thoja, nuk duhet të qëndrojnë fare në pajisje elektronike por duke ditur që është e pashmangshme dhe prindërit kanë një luftë të vazhdueshme për të hequr pajisjet elektronike do të kërkoja që të paktën 2 orë para gjumit të mos kemi asnjë kontakt me pajsijet digjitale. Prindërit të jenë më të rreptë dhe më të vendosur për të mos i lejuar fëmijët të përdorin pajsijet digjitale të paktën dy orë para gjumit”, theksoi Brisilda Danaj, mjeke okuliste
Përdorimi i zgjatur i pajisjeve digjitale, sidomos para gjumit, mund të shkaktojë një sërë simptomash të lidhura me sytë si tharje, skuqje, irritim, shikim të turbullt dhe ndjesi lodhjeje të theksuar.





