Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin që lidhet me projektin në Zvërnec, duke bërë një paralelizëm me modelin e zhvillimit turistik në Portugali.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama argumenton se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik nuk janë procese që përjashtojnë njëri-tjetrin, ndaj dhe projekti i Zvërnecit ka të njëjtin qëllim.
Ndërkohë nga Pogradeci edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja ka reaguar lidhur me protestat kundër projektit në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se qeveria po i ndjek me vëmendje shqetësimet e ngritura nga protestuesit dhe se kërkohet një analizë e kujdesshme për të gjetur ekuilibrin mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Nuk është se nuk e ndjek apo nuk jam i ndjeshëm ndaj situatës. Ne jetojmë në Tiranë dhe e kemi shumë të qartë që kjo është një çështje që kërkon vëmendje, analizë dhe reflektim të thellë nga të gjithë”, tha Gonxhja.
Gonxhja tha gjithashtu se qeveria respekton të drejtën e protestës dhe e konsideron atë një shprehje të lirisë demokratike në vend, ndërsa për balancën mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, ai u shpreh se bëhet fjalë për një proces të delikat, veçanërisht në kushtet kur Shqipëria synon integrimin në BE.
“Shqipëria duhet të hyjë në BE e fortë ekonomikisht. Ka vende që kanë ligje shumë të forta për mjedisin, por njëkohësisht kanë zhvillime turistike pranë apo edhe brenda zonave të mbrojtura, kur këto realizohen në përputhje me ligjin dhe interesin publik. Është një protestë që po e dëgjojmë dhe së cilës i kemi kushtuar vëmendjen e duhur”, shtoi ministri.
Gonxhe dënoi gjithashtu incidentin e ndodhur gjatë protestës duke e cilësuar atë një ngjarje të papranueshme dhe duke kërkuar që përgjegjësit të perballen me drejtesine.





