Për vendimin e socialistëve për të mos e larguar nga grupi i tyre, deputeti Ornaldo Rakipi nuk e ka një qëndrim.
Pasi mori mbështetjen e partisë së tij, se përgjegjësia është personale, pra asnjë nga akuzat e ngritura nga departamenti amerikan i thesarit ndaj të atit të tij, Aqif Rakipi, nuk e përfshijnë atë, Ornaldo Rakipi do të vazhdojë të jetë një nga 74 socialistët në sallën e parlamentit.
ORNDALDO RAKIPI
DEPUTET I PS
S’kam çfarë të them, çfarë kisha për të folur e kam folur, s’kam çfarë them tjetër.
Zyrtarisht Partia Socialiste nuk doli me asnjë deklaratë për vendimmarrjen e saj me dyer të mbyllura në mbledhjen e grupit të saj parlamentar të martën.
Ajo që u komunikua jo zyrtarisht ishte se në rastin e Ornaldo Rakipit, edhe pse ish deputeti i PDIU-s, cilësohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri, ai nuk mund të vuajë pasojat e të atit.
I vetmi që theu kodin e heshtjes ishte Taulant Balla. Qëndrimi i tij personal ishte ndryshe duke deklaruar se PS i respekton vendimet e aleatit të saj strategjik, SHBA-ve dhe nuk përdor standarde të dyfishta.
Me vendimin e tyre, socialistët e tjerë dhe vetë kryetari i tyre, Edi Rama, mendojnë se me Ornaldo Rakipin nuk është ndjekur një standard i dyfishtë, pasi përgjegjësia është vetëm personale.
Parlamentaret e 2021-it i dhanë Ornaldo Rakipit mandatin e parë si deputet. I renditur i 30 në listën e qarkut të Tiranës, djali i Aqif Rakipit mori 15 mijë e 697 vota.
Ai jo vetëm theu herësin e mbi 10 mijë vota për të marrë karrigen e deputetit, por grumbulloi gati dyfishin e votave të Pandeli Majkos, një veterani të socialistëve, një ish-kryeministër dhe ministër, që jo vetëm nuk theu herësin, por nuk fitoi as mandatin e deputetit.