Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka zyrtarizuar këtë të martë emrin e Rolando Maran si trajneri i ri i Kombëtares shqiptare.
Duka falënderoi ish-trajnerin Sylvinho për kontributin e dhënë në krye të kuqezinjve.
“Do bëjmë publik emrin e trajnerit të ri të ekipit kombëtar, Roland Maran. Mbyllim një cikël, mund të themi me ish-trajnerin e kombëtares, Sylvinho, dua ta falënderoj në emër të FSHF-së dhe tifozëve për kontributin që kanë dhënë. Bashkë kemi kaluar një periudhë vërtet të rëndësishme me shumë emocione. Është pjesë e historisë së futbollit shqiptar”, deklaroi Duka.
Presidenti i FSHF-së bëri të ditur se ndarja me Sylvinhon ka ardhur me mirëkuptim mes palëve, ndërsa tashmë nis një kapitull i ri me teknikun italian.
“Në respekt të plotë, kemi rënë në konsensus që ky cikël të mbyllet dhe të fillojë një i ri, me një trajner jo të ri në moshë, por me shumë eksperiencë, siç është zoti Rolando Maran. Objektivi mbetet vendi i parë në UEFA Nations League dhe kualifikimi në Europian”, u shpreh Duka.
62-vjeçari italian vjen në krye të Shqipërisë pas një karriere të gjatë në futbollin italian, ku ka drejtuar skuadra si AC ChievoVerona, Cagliari Calcio dhe Genoa CFC.





