Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, ku u shkatërruan rreth 600 hektarë sipërfaqe me kullota dhe bimësi në Parkun Kombëtar të Dajtit.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë, i cili dyshohet se gjatë punës si bari në këtë zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë në vendin e quajtur “Fushë Stanë”. Zjarri, i përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, ka përfshirë sipërfaqe të mëdha natyrore, përfshirë lugina dhe qafa brenda Parkut Kombëtar të Dajtit, një zonë e mbrojtur natyrore me rëndësi të veçantë ekologjike.
Sipas Policisë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
/vizionplus.tv





