Banka Qendrore Europiane në një nga raportet e saj sugjeron që qytetarët të mbajnë para fizike në shtëpi, 70-100 euro për person.
Institucioni i lartë monetar argumenton se pagesat elektronike mund të mos funksionojnë në një moment të caktuar dhe qytetarët nuk do të munden të kryejnë as transaksionet më minimale të jetesës.
Por kjo thirrje e Bankës Europiane nuk përputhet me realitetin shqiptar.
Në tregun vendas afro 80% e transaksioneve kryhen me para në dorë. Të dhënat flasin se paraja jashtë bankave ka pësuar rritje vit pas vitit.

Por a është kjo thirrje e Bankës Qendrore një kthim pas në pagesat tradicionale? Teksa përballemi me një botë të paqëndrueshme, me konflikte dhe kriza, por edhe me teknologjinë e cila sado e fuqishme të jetë, ka sfida në funksionimin e sistemeve, thirrja e bankës na kujton se teknologjia nuk mund të jetë opsioni i vetëm i pagesave.
“Unë në biznesin tim kam arritur të gjej një të mesme. Disa pagesa me kartë dhe disa më para fizike në bankë. E bëjë këtë zgjedhje për të menaxhuar riskun, pasi në telefonin tim kohët e fundit kanë ardhur mesazhe hakerimi. Unë jam e vetëdijshme që ato nuk duhen hapur si mesazhe, por qytetarët në masë nuk kanë informacione dhe kanë nevojë për edukim”, tha Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie.
“Unë nuk mendoj se thirrja e Bankës Qendrore është një kthim pas në pagesat tradicionale, edhe pse tradicionalja mbetet e bukur dhe shumë njerëz e duan. Por të mos harrojmë brezi i ri po shkon drejt teknologjisë. Ndaj ky apel vlen më shumë si një masë parandaluese në rast rreziku, pra një “black out” të sistemeve”, tha Artur Ribaj, ekspert ekonomie në “E-ZONE”.
Brunilda Isaj, sekretare e shoqatës së “Mikrofinancës” njëherazi dhe eksperte bankare, thotë në shumë vende të Europës, sidomos në Suedi, Norvegji, etj., qytetarët nuk kishin më alternativa. Pra jeta e tyre varet vetëm nga teknologjia.


“Shqipëria është në skajin tjetër. Ne na mbretëron paraja CASH. Të dyja llojet e pagesave kanë avantazhet dhe disavantazhet e veta. Por një gjë është e sigurt. Nuk mund dhe nuk duhet të ketë vetëm një lloj pagese. Gjithkush duhet të ketë alternative dhe më pas të zgjedhë”, tha Isaj për Vizion Plus.
Por teksa BE po kërkon CASH-in, institucionet e shqiptare kanë nisur një fushatë për të nxitur pagesat elektronike, të cilat në vendin tonë nisën të rriten që pas pandemisë. Ndërkohë qeveria pritet të prezantojë një plan 3-vjeçar për të ulur përdorimin e CASH-it në ekonomi.

“Nuk mendoj se në vendin tonë qeveria do të mund të reduktojë në minimum paranë fizike apo të bëjë mjetin e vetëm të pagesës, transaksionet elektrike. Në rastin e Shqipërisë qëllimi është reduktimi i informalitetit. Ne po shkojmë drejt BE-së ndaj dhe disa masa na i detyron unioni”, sqaroi Radonshiqi.
Nga data 7 tetor është njoftuar se Shqipëria do të bëhet pjesë e sistemin europian të pagesave në euro, që njihet me emrin “SEPA”. Komisionet për transaksionet elektronike do të ulen në minimum.





